Protesta në Pragë kundër kryeministrit Babish

Pushteti i kryeministrit çek, Andrej Babish, u duk më i dobësuar të enjten mbrëma, pasi që mijëra protestues të mbledhur në sheshin qendror të Pragës, kërkuan dorëheqjen e tij, ndërsa partnerët e tij të koalicionit po debatojnë mundësinë e largimit nga qeveria.

Trysnia ndaj tij pasoi raportimet e medies se i biri i kryeministrit ka thënë se i ati i kishte kërkuar që të fshihej për të penguar një hetim kriminal ndaj Babishit dhe dy fëmijëve të tij, për shpërdorim të një subvencioni prej dy milionë eurosh të ndara nga Bashkimi Evropian, një dekadë më parë.

Opozita reagoi duke kërkuar votë mosbesimi në parlament. Kryetari i parlamentit tha se votimi, rezultati i të cilit duket i paqartë, pritet të ndodhë me 23 nëntor.

Andrej Babish, nja afarist miliarder dhe politikani më popullor ne vendin anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, vazhdimisht ka mohuar keqbërjen dhe ka hedhur poshtë raportimet e faqes së internetit, Seznam.cz, duke i cilësuar si pjesë të fushatës mediale kundër tij.

Kryeministri çek Andrej Babish

Në sheshin Vaclav në Pragë, mijëra veta brohoritën “dorëheqje: dhe “turp”. Disa valëvisnin flamujt e Çekisë dhe të BE-së dhe mbanin parullat “poshtë Babishi”.

Socialdemokratët e qendrës së majtë, partnerë të koalicionit me partinë ANO të kryeministrit, po i shqyrtojnë “të gjitha mundësitë”, tha udhëheqësi i tyre Jan Hamacek.

"Situata është serioze, informatat janë thelbësore dhe në duhet të shqyrtojmë qasjen më të përgjegjshme të mundshme”, i tha ai televizionit çek,

Nëse qeveria humb në votime, Babishi duhet të hap dorëheqje dhe kryeministri i ri do të emërohet nga presidenti pro rus e pro kinez, Milosh Zeman.

Kryeministri Babish, megjithatë mund të kërkojë tjetërkund mbështetje për të mbijetuar. Opozita e së djathtës ekstreme, SPD, një parti anti-BE dhe anti-NATO, ka lënë të kuptohet se mund të jetë e gatshme të mbështesë një kabinet të udhëhequr nga Babishi, pa ministrat socialdemokratë, nëse ai ndryshon disa nga politikat e tij.

I biri kryeministrit, Andrej, u tha gazetarëve të Seznam.cz, që e gjurmuan atë në shtëpinë e tij të tashme në Zvicër, se babai i tij kishte dashur që ai të fshihej vitin e kaluar, kur policia ngriti akuza në rastin e subvencionimit.

Në një komentim të regjistruar në video, djali që është trajtuar për probleme mendore, tha se një burrë që përkujdesej për të, e kishte dërguar përkundër vullnetit të tij Krimenë e aneksuar nga rusët, por ai kishte besuar se kjo nuk ishte ide e të atit.

Policia tha të martën se kishte hetuar këto pretendime dhe nuk kishte gjetur dyshime për veprim kriminal.

Kryeministri tha se i biri kishte udhëtuar për në Krime vullnetarisht. Ai tha se i biri, që ka shtetësi zvicerane, është trajtuar për skizofreni që nga viti 2015. Burri që është përkujdesur për të birin e kryeministrit, mohoi çfarëdo keqbërje.