Rusia ka filluar programin e saj për vaksinimin ndaj COVID-19. 70 klinika në Moskë filluan të injektojnë njerëzit të shtunën me vaksinën Sputnik-V, tha grupi i punës për koronavirusin i këtij qyteti.
Vaksina po vihet në dispozicion të punonjësve të kujdesit shëndetësor, punonjësve socialë dhe atyre që punojnë në shkolla sepse ata rrezikohen më shumë nga ekspozimi ndaj koronavirusit. Sipas mediave, personat mbi 60 vjeç nuk janë përfshirë tek ata që po marrin vaksinën të parët.
Vaksina ruse përbëhet nga dy injeksione dhe injeksioni i dytë është planifikuar tre javë pas të parit.
Mijëra njerëz janë regjistruar për të marrë vaksinën. Sidoqoftë, nuk ishte e qartë se sa doza vaksine janë prodhuar.
Disa shkencëtarë kanë vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës së prodhuar nga Rusia për shkak të hedhjes së saj të shpejtë në treg.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, Rusia ka 2.4 milionë të infektuar me COVID dhe më shumë se 42’000 viktima.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, qyteti San Fransisko i Kalifornisë dhe disa zona pranë tij thanë të premten se do të fillojnë zbatimin e urdhrave për qëndrimin në shtëpi këtë fundjavë si pjesë e betejës së tyre kundër koronavirusit.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom tha të enjten se shteti ishte në prag të vendosjes së urdhrave të qëndrimit në shtëpi në bazë të zonave, nëse njësitë e kujdesit intensiv në pesë rajonet e shtetit e tejkalojnë kapacitetin prej 85%.
San Fransisko dhe qarqet përreth gjithsesi nuk po presin sa të arrihet pragu i kapacitetit në spitale dhe po zgjedhin vullnetarisht të zbatojnë urdhrin e shtetit për qëndrimin në shtëpi.
"Jemi në kulmin e rasteve me COVID-19. Vala e infeksioneve po mbingarkon sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë shtetin e Kalifornisë dhe po stërmundon punonjësit tanë të kujdesit shëndetësor", tha të premten Dr. Grant Colfax, drejtori i shëndetësisë në San Francisko.
“Kemi nevojë për ndërhyrje urgjente tani nëse duam të jemi në gjendje të kujdesemi për të sëmurët në mes dhe në fund të dhjetorit. Nuk duam që prindërit tuaj, bashkëshorti juaj, fëmija juaj, gjyshi apo gjyshja juaj, ose ndonjë i dashur të ketë nevojë për ndihmë dhe spitalet tona të jenë tepër të mbingarkuara për t'u kujdesur siç duhet për ta”, tha ai.
Duke filluar nga e diela në mbrëmje, në bazë të urdhrit do të mbyllen të gjitha ambjentet e jashtme të restoranteve, parqet e lojërave, muzetë e hapura, kopshtet zoologjike dhe akuariumet, teatrot me makina dhe autobusët dhe varkat turistike. Përveç disa rasteve kur shitjet mund të bëhen me kontakt minimal, të gjitha shitjet me pakicë, përfshirë dyqanet ushqimore, do të lejohen të veprojnë vetëm me 20% kapacitet.
"Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të vendosim virusin nën kontroll," tha Kryebashkiakja e San Fransiskos London Breed. "Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së njerëzve."
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të premten se tani që vaksina COVID-19 është fare pranë, vendet duhet të fillojnë të investojnë dhe të përgatiten për pandeminë e ardhshme.
"Pavarësisht paralajmërimeve prej disa vitesh, shumë vende nuk ishin të gatshme për COVID-19", tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një sesion të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për koronavirusin. "Shumë vetë, gabimisht kishin menduar se sistemet e tyre të forta shëndetësore do t'i mbronin ata."
Ai tha se vendet që janë marrë me koronavirusët e kohëve të fundit, përfshirë SARS-in, ose sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes, dhe MERS, ose sindroma respiratore e Lindjes së Mesme, si dhe sëmundje të tjera infektive, kanë pasur më shumë sukses në kufizimin e përhapjes së COVID-19.
"Tani të gjitha vendet duhet të veprojnë duke pasur parasysh përvojën e mëparshme dhe të investojnë në masat që do të parandalojnë, kontrollojnë dhe zbutin krizën e ardhshme," tha Tedros. "Është gjithashtu e qartë që sistemi global i gatishmërisë kërkon vëmendje."
OBSH është kritikuar nga disa vende për trajtimin e saj të pandemisë pasi Kina raportoi rastet e para në fillim të këtij viti. Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë një nga kritikët më të zëshëm dhe më 29 maj njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga organizata globale e shëndetësisë. Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se do ta përmbysë atë vendim kur të marrë detyrën në janar.
Shefi i OBSH-së theksoi nevojën që vendet e pasura dhe të varfëra të kenë qasje të barabartë tek një vaksinë COVID-19, duke thënë se vënia e shkencës në shërbim të të gjithëve nuk është bamirësi, por në interesin më të mirë të çdo vendi. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të rimendojnë rrënjësisht se si i japin përparësi dhe e shohin shëndetin nëse duan të shmangin një krizë tjetër të përmasave të ngjashme.
"Pandemia provoi që një krizë shëndetësore nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por është një krizë sociale, ekonomike, politike dhe humanitare," tha ai. "Rreziqet e investimeve të pamjaftueshme në shëndetësi kanë ndikime të gjera, dhe po ashtu edhe përfitimet e investimeve në shëndetësi."
Të premten, Bahreini u bë vendi i dytë që miratoi përdorimin emergjent të vaksinës së koronavirusit Pfilzer-BioNTech. Britania ishte vendi i parë që hapi dritën jeshile për vaksinën.
Sfida është mbajtja e vaksinës në temperatura shumë të ulëta. Ajo duhet të ruhet në temperatura rreth minus 70 gradë Celsius (minus 94 gradë Fahrenheit). Temperaturat në Bahrein rregullisht janë rreth 40 C (104 F).
Bahreini tashmë ka injektuar 6’000 njerëz me një vaksinë kineze që përdor një version të vdekur të virusit. Vendi mesdhetar ka pasur gati 88’000 raste të koronavirusit dhe gati 350 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Rastet e konfirmuara me COVID-19 në shkallë globale kanë tejkaluar shifrën 65 milion me më shumë se 1.5 milion vdekje. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara - më shumë se 14 milionë deri më tani - dhe gati 279’000 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.