Cili do të ishte rezultati më i mirë i zgjedhjeve amerikane për Britaninë?

  • Henry Ridgwell

Njerëzit ecin në rrugët me baret e mbyllura në qytetin Liverpool (14 tetor 2020)

Në vitin 2016, u fol për paralelizma mes zgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara dhe referendumit në Britani për largimin nga Bashkimi Evropian, pasi të dyja këto ngjarje, shikoheshin si fitore për politikat populiste. Katër vite më vonë, Presidenti Trump po lufton të rizgjidhet, ndërsa sondazhet e radhisin atë pas rivalit demokrat Joe Biden. Ndërkohë Britania po i afrohet fundit të periudhës së tranzicionit për Brexit-in në fund të këtij viti. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, shumë vëzhgues thonë se e ardhmja e Britanisë pas Brexit-it mund të jetë e lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të 3 nëntorit.

Ditën kur Britania votoi për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, Donald Trump - në atë kohë kandidat republikan për president - mbërriti në klubin e tij të golfit në Skoci me një mesazh në mbështetje të Brexit-it.

"Njerëzit duan t'u rikthehet vendi i tyre", tha Donald Trump në qershor 2016.

Pas më shumë se katër vitesh, Britania është më në fund në prag të ndarjes me Bashkimin Evropian. Qeveria britanike i ka kthyer sytë nga Shtetet e Bashkuara me shpresën për një marrëveshje të re tregtare që do të nxiste ekonominë e saj.

"Trump-i ka qenë një mbështetës i Brexit-it, por mendoj se qeveria britanike ka kuptuar tashmë nga negociatat e saj tregtare me Shtetet e Bashkuara se nuk ekziston dreka falas. Sa më shumë qasje që Mbretëria e Bashkuara dëshiron në tregun amerikan, aq më shumë do t'i duhet të ofrojë lëshime, në formën e koncensioneve për standartet, etj.", thotë Ian Bond, i Qendrës Evropiane për Reformimin Evropian.

Sidoqoftë, një fitore e Donald Trump-it do të ishte rezultati më i mirë për Britaninë, ndërsa ajo largohet nga Bashkimi Evropian, thotë Robert Oulds, drejtor i Grupit Bruges, ku janë anëtarë disa ligjvënës pro-Brexit-it.

"Ekziston një kandidat në zgjedhjet presidenciale amerikane që është angazhuar për një marrëveshje të mirë tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, dhe ai është Presidenti Donald Trump. Prandaj kjo është shumë e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, nuk është vetëm çështje preferencash politike. Vendet e punës dhe mundësitë për Mbretërinë e Bashkuar vërtet do të varen tek rizgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara", thotë zoti Oulds.

Por, mediat britanike njoftuan këtë javë se qeveria konservatore e zotit Boris Johnson po përpiqet të ndërtojë marrëdhënien me sfiduesin demokrat Joe Biden, një kritik i dikurshëm i Brexit-it, i cili udhëheq në sondazhe. Zoti Biden paralajmëroi rishtazi Britaninë se nuk do të ketë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, nëse Brexit-i rrezikon paqen në Irlandën e Veriut.

"Avantazhi do të ishte më shumë parashikueshmëri në marrëdhënie dhe një përqasje më e favorshme për institucionet transatlantike, si NATO-ja. Disavantazhi me Biden-in do të ishte se ai ka lidhje shumë të forta me komunitetin irlandezo-amerikan; ai është vetë pinjoll i komunitetit irlandezo-amerikan, (kështu që) Biden do të kishte ndoshta një linjë shumë më të ashpër me britanikët, për sa i përket detyrimeve të tyre në Marrëveshjen e Tërheqjes (nga BE-ja) dhe protokollin me Irlandën e Veriut, se sa ç’do të kishte Trump-i", thotë zoti Bond.

Disa ligjvënës konservatorë të moderuar, si Daniel Finkelstein, anëtar i Dhomës së Lordëve në Britani - po shpresojnë në një fitore të zotit Biden.

"Mendoj se do të ishte shumë më e rëndësishme për pozitat e konservatorëve nëse do të mund të riafirmohej republikanizmi i zakonshëm i pas-Luftës, në vend të këtij lloji republikanizmi shqetësues populist të Donald Trump-it. Mposhtja e tij mendoj se do të ishte pjesë e rizbulimit e këtyre lloji vlerash nga partia konservatore (britanike) ", tha zoti Finkelstein.

Britania përballet me një Brexit të pasigurtë, që ndodh në mesin e efekteve shkatërrimtare të pandemisë së koronavirusit. Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të luajë një rol të madh në të ardhmen e vendit, ndërsa përpiqet të çelë rrugë të reja, jashtë Bashkimit Evropian.