Debat mes senatorëve republikanë për të emëruarit Pompeo, Haspel

Dy senatorë republikanë amerikanë debatuan të dielën lidhur me emërimin nga Presidenti Donald Trump të drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo për postin e Sekretarit të Shtetit dhe të nëndrejtores së CIA-s, Gina Haspel për drejtimin e agjencisë së zbulimit.

Nëse konfirmohet, zonja Haspel do të ishte drejtorja e parë femër në historinë 70 vjeçare të CIA-s.

Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut tha në CNN se parashikonte që si zoti Pompeo edhe zonja Haspel do të konfirmohen nga Senati. Ai nuk i dha rëndësi njërit prej kundërshtarëve të kandidaturave, senatorin Rand Paul të Kentakit si “një përjashtim” mes ligjvënësve republikanëve.

Senatori Paul, po në CNN, argumentoi kundër kandidaturës së Pompeos, duke thënë se ai mbështet ndryshimin e regjimit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në disa vende të huaja. Zoti Paul Rand tha se zonja Haspel ishte e lidhur me torturimin nga CIA të të dyshuarve për terrorizëm, në baza të fshehta në vende të huaja.

Paul tha se do të bënte të gjitha përpjekjet që t’i rrëzonte kandidaturat në senat, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë, 51-49.

Senatori Graham e përshkroi zonjën Haspel si “jashtëzakonisht të kualifikuar”, megjithëse e pranoi që ajo kishte mbështetur metodat e debatueshme për të nxjerrë informacion, përfshirë simulimin e mbytjes, ndaj të dyshuarve për terrorizëm pas sulmeve terroriste të vitit 2001. CIA nuk i lejon më këto teknika.

Senatori Paul tha se “Amerika nuk mbështet torturën. Tortura është simbol i totalitarizmit”.