Kina: tarifat e reja ndaj mallrave amerikane do zbatohen

Kina njoftoi se nuk do t’i ndryshojë planet për të vendosur tarifa shtesë prej 25 për qind ndaj mallrave amerikane me vlerë rreth 16 miliardë dollarë.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 23 gusht dhe janë përgjigje ndaj një raundi të ri tarifash që autoritetet amerikane vendosën ndaj mallrave kineze, të njoftuara të martën nga administrata Trump.

Masat e reja e kanë intensifikuar luftën tregtare mes dy superfuqive ekonomike botërore që nisi më 6 korrik, kur Uashingtoni vendosi zyrtarisht tarifa prej 25 për qind ndaj më shumë se 800 produkteve kineze me vlerë 34 miliardë dollarë. Pekini u hakmorr duke imponuar të njëjtën përqindje ndaj 545 produkteve amerikane, gjithashtu me vlerë 34 miliardë dollarë.

Administrata Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tjetër shtesë në tarifa, prej 25 për qind, ndaj produkteve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë.

Si arsye për vendosjen e tarifave Presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur ato që ai i quan praktika të padrejta tregtare të Kinës dhe vjedhjen e pronësisë intelektuale.