Ceremoni përkujtimore për 12 viktimat e sulmit në Kaliforni

12 viktimat e një sulmi me armë në një qytet të Kalifornisë u nderuan me një ceremoni përkujtimore që u mbajt të enjten në mbrëmje.

Policia dhe përfaqësues të klerit u bashkuan me banorët në qytetin “Thousand Oaks”, për të kujtuar ata që u vranë nga një ish-marins, përpara se ky i fundit të vriste veten.

FBI-ja po kryen kontrolle në shtëpinë dhe makinën e 28 vjeçarit Ian David Long në kërkim të provave që lidhen me "gjendjen e tij mendore" përpara sulmit në një restorant të mbushur me studentë.

Sipas zëdhënësit të FBI-së, Paul Delacourt, duket se autori i ngjarjes ka vepruar i vetëm.

Sulmet me armë janë shumë të rralla në “Thousand Oaks”, një qytet me rreth 130 mijë banorë, rreth 64 kilometra në perëndim të Los Anxhelosit.