Në Shqipëri ambasadori amerikan Donad Lu, deklaroi sot se forcat politike në vend duhet të bien dakort së Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion jetik për të luftuar korrupsionin. Ai shpjegoi mënyrën se si do funksionojë kjo Byro, e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Policia duke saktësuar se në përbërjen e saj do të jenë persona të cilët do të duhet të kalojnë më parë testimet dhe kualifikimet që do të kryhen pranë FBI-së amerikane. Po sot, komisioni i posacëm i Reformës në Drejtësi ra dakort parimisht që Byroja të jetë nën varësinë e Prokurorisë speciale antikorrupsion.
Your browser doesn’t support HTML5
Ambasadori amerikan në Tiranë davariti sot mjegullën që që prej shumë muajsh kishte mbështjellë krijimin dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një institucion i cili do të mbështetet mbi modelin e FBI-së amerikane e ndaj të cilit shqiptarët sipas tij duhet të kenë besim “për shkak se SHBA do të investojnë, që ajo të jetë e tillë dhe kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të bëhet në akademinë e FBI-së, në SHBA. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate, dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testit të së vërtetës, apo testit të poligrafit dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar se ata nuk po marrin ryshfet apo nuk po punojnë për krimin e organizuar”.
Duke ju referuar dhe opinionit të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, ambasadori amerikan shpjegoi dhe skemën e funksionimit të Byrosë, e cila siç tha ai do të vendoset nën një prokuror të posacëm të pavarur, si nga Prokurori i Përgjithshëm ashtu dhe nga Policia e Shtetit: “Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë gjyqësorë. Drejtori i saj për antikorrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posacëm të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar”
Debati për Byronë Kombëtare të Hetimit u rizgjua me publikimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Opozita pati kërkesa këmbëngulëse për miratimin e saj sa më shpejt, duke e konsideruar këtë si provë që shumica duhet të jepte për Reformën në Drejtësi. Kjo cështje ishte sot pjesë e debatit të nisur në Komisionin e posacëm të Reformës, i mbledhur me dyer të mbyllura për të diskutuar rreth 10 pikave për të cilat opozita ka kundërshtime lidhur me projektin e ndryshimeve kushtetuese.
Ambasadori Lu, tha se udhëheqësit politik shqiptar po përpiqen ta përdorin debatin për Byronë, për arsye politike: “Të gjithë ata bien dakort se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri. U kërkoj atyre në të djathtë e në të majtë që të bien dakort se BKH-ja është një institucion jetik për antikorrupsionin në Shqipëri. U kërkoj të bien dakort për modelin antikorrupsion që diskutohet sot, një institucion të mbështetur nga FBI-ja amerikane, i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. Dhe u kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njejtën kohë me reformën në Drejtësi. Në fund të fundit reforma në Drejtësi do të krijojë zyrën e Prokurorisë së posacme që do të drejtojë përpjekjet antikorrupsion të BKH-së”, saktësoi ambasadori amerikan.
Të paktën në parim duket se tashmë çështja e Byrosë është kapërcyer dhe palët janë dakortësuar që ajo të jetë në varësinë e Prokurorisë speciale antikorrupsion. Gjatë paradites u diskutua dhe rreth përbërjes së Këshillimit të Emërimeve, për të cilin opozita gjithashtu pati vërejtje. Edhe kjo çështje duket se është kapërcyer në parim.
Përfaqësuesi demokrat Eduard Halimi u shpreh i kënaqur rreth mënyrës së zhvillimit të diskutimeve të sotme: “Diskutimet ishin të mira. Pati diskutime racionale nga të gjitha palët. U evaduan disa cështje nga ato 10 cështje për të cilat opozita kishte ngritur shqetësimin, me një diskutim racional mes anëtarëve të Komisionit ad hoc”.
Pasdite Komisioni do të mblidhet sërish e do të vazhdojë diskutimet deri nesër, ndërkohë që zgjidhja e aspekteve teknike i është lënë në dorë përfaqësuesve të dy misioneve, Opdat-it ameriken dhe Euraliusit të Bashkimit europian.