Avokati i Maria Butinas, shtetases ruse të akuzuar nga prokuroria amerikane për lobizëm të paligjshëm të huaj, thotë se pasaporta e saj i është dorëzuar autoriteteve amerikane të emigracionit për të mundësuar deportimin e saj të pritshëm drejt Rusisë.
Në një intervistë me agjensinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, avokati Robert Driscoll tha se shpreson që gjykata amerikane do të shpallë vendimin për dënimin e saj brenda 2 – 6 javësh pas seancës dëgjimore të caktuar për të më datën 26 shkurt.
Zoti Driscoll citohet t’u ketë thënë gazetarëve rusë se “shpresojmë që ajo do të dënohet me periudhën e mbajtur deri më tani në burg dhe se do të lirohet dhe deportohet menjëherë”.
Edhe nëse zonja Butina merr një dënim të barabartë me periudhën gjatë së cilës është mbajtur në paraburgim, duke mundësuar kështu edhe lirimin e saj, avokati Driscoll tha se atij sërish do t’i duhet të negociojë me zyrtarët e Agjensisë për Emigracionin dhe Doganat të Shteteve të Bashkuara (ICE) për të mundësuar deportimin e një të dënuare për krime federale.
Sipas dokumentit të pranimit të fajësisë të nënshkruar nga zonja Butina për prokurorinë amerikane, zyrtarëve amerikanë u rezervohet e drejta ta mbajnë atë nën arrest deri në përmbushjen e bashkëpunimit të saj.
Zonja Butina pranoi fajësinë në muajin dhjetor për konspiracion në luajtjen e rolit të një agjenteje të paregjistruar të Rusisë dhe u mbajt në izolim për disa muaj. Sipas avokatit të saj, pas pranimit të fajësisë, ajo u transferua në një qeli të sigurisë së ulët dhe i është lejuar të përdorë palestrën, të ushqehet së bashku me të burgosurat e tjera, të hyjë në famullinë e burgut, si dhe të shikojë programe televizive deri në dy herë në javë.