Program për të burgosurit

Një program i ri në Shtetet e Bashkuara po u jep njerëzve dhe kafshëve një shans të dytë në jetë. Në një fermë që i përket një burgu në shtetin e Virxhinias, të burgosurit janë duke fituar aftësi të vlefshme për punë ndërsa mësojnë të kujdesen për kuajt e vjetër të garave, të cilët marrin vëmendjen e nevojshme dhe strehim në një vend të mirë-mbajtur.

Tamio Holmes po u mëson këtyre burrave se si t’i vënë patkuajt kalit. Aktuaalisht ata po kryejnë dënimin në burgun James River në shtetin e Virxhinias. Zoti Holmes vetë ishte i burgosur për tetë vjet këtu, dhe mësoi aftësitë e tij të nallbanit nëpërmjet një programi të burgut.

“Programi më ndihmoi shumë. Të mëson rreth besimit dhe besnikërisë. Që atëherë, mendja ime ishte e vendosur se kjo ishte ajo që doja të bëja.”

Tani, një njeri i lirë, zoti Holmes kthehet shpesh në burg për t’i treguar të tjerëve rreth asaj që ai ka mësuar.

“Unë dua që ata të kuptojnë se duhet të besosh në vetvete. Më e rëndësishmja, ajo që i mësoj atyre është rëndësia e disiplinës së punës. Shpërblehesh për punën që bën. Unë do të thoja se nuk është vetëm për këtë lloj pune, por për gjëra të tjera në jetë gjithashtu.”

Programi gjashtë-mujor është një bashkëpunim mes Departamentit të Korrektimit të Virxhinias dhe organizatës jo-fitimprurëse Fondacioni i Kuajve të Garave, i projektuar për të gjetur një vend të sigurt për kuajt dhe për të trajnuar të burgosurit të kujdesen për ta.

Çdo ditë të burgosurit që marrin pjesë në program shkojnë në hambar për të ushqyer dhe kujdesur kuajt e tyre, dhe për t’i kontrolluar nëse kanë plagë. Trajnimi gjithashtu i përgatit ata për t’u punësuar pasi të lirohen nga burgu. Mes 22 kuajve të këtushëm, është edhe Covert Action, nipi i kalit legjendar Secretariat, që fitoi tre tituj kampion në vitin1973. Drejtori i burgut Harris Diggs është i përgjegjshëm për programin në qendrën “James River.”

“Ishte interesante të shihje marrëdhënien që të burgosurit kishin me kuajt dhe kuajt me të burgosurit. Këta ishin kuaj garash, dhe asnjë nuk i donte më, dhe mendova se ka një ngjashmëri mes gjendjes së vështirë të burgosurve dhe të kuajve.”

Kjo lidhje është e dukshme.

“Kam ndryshuar goxha qëkur u burgosa. Pikëpamja ime rreth jetës tani është më pozitive, dhe e ardhmja ime duket më e mirë. Programi i jep një shans të dytë kuajve, por është një shans i dytë edhe për mua.”

“Të bën të kujtosh se je njeri, diçka që mund ta harrosh kur je i burgosur.”

“Këta kuaj duken se i shohin këta burra dhe kur sheh një kalë, sikur po sheh shpirtin tënd në sytë e tyre.”

Anne Tucker është presidentja e një prej degëve të Fondacionit të Kuajve të Garave, i cili u krijua për të shpëtuar kuajt e garave nga neglizhimi i mundshëm.

“Është një lidhje shumë e fortë dhe shumica e këtyre burrave nuk e kanë përjetuar më parë. Dhe kjo mund të jetë pjesë e asaj që u jep atyre këtë sens të ri se cilët janë ata.”

Drejtori i burgut thotë se ai është i lumtur me vendimin e tij për të lejuar Tamio Holmes për t’u kthyer dhe për t’i mësuar të burgosurit.

“Këta janë rreziqe të llogaritura , dhe isha i gatshëm ta merrja. Dhe ai ka punuar mrekullisht, sepse ata tani mund të shohin se mund të ndryshojnë dhe se sistemi që i burgosi është gjithashtu i gatshëm për t’i dhënë atyre një shans të dytë.”

Një sistem që ka krijuar një situatë të favorshme edhe për njerëzit dhe për kuajt.