Britanikët përgatiten për referendumin historik

  • Luis Ramirez

Britania përgatitet për votimin e së enjtes që do të përcaktojë në se ajo do të largohet nga Bashkimi Evropian. Debati është përqëndruar në sigurinë ekonomike dhe imigracionin dhe shpesh ka qënë i hidhur. Të dyja palët kanë ulur tonin pas një ndërprerjeje tre ditore të fushatës që erdhi pas vrasjes së një ligjvënëseje që ishte kundër largimit të Britanisë nga BE-ja. Ky incident, sipas anketave, ka tronditur shumë nga votuesit e pavendosur, që thonë tani se do të votojnë për të qëndruar në Evropë. Korrespondenti Luis Ramirez njofton nga Londra.

Janë kohë të pasigurta në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në Bashkimin Evropian. Referendumi është tepër i rëndësishëm nga çdo pikëpamje.

Ka paralajmërime se largimi nga blloku mund të shkaktojë rënien prej 15 përqind të vlerës së paundit britanik dhe të sjellë dorëheqjen e e kryeministrit, mandati i të cilit varet nga fakti nëse britanikët e kanë dëgjuar atë dhe do të votojnë të qëndrojnë.

“Në se vendosim të largohemi, do të largohemi. Por të jemi të qartë – nëse largohemi, është vendimtare.”

Për zgjedhje kaq të rëndësishme, shumë votues ankohen se ka patur pak informacion për të marrë një vendim dhe qëndrime të ashpra nga të dyja palët. Flotiljet e të dyja fushatave u përballën së fundmi në lumin Tamiz.

Për muaj me rradhë, fushata Largohu ka dalë në rrugë. Argumentet e saj bazohen më së shumti tek imigracioni dhe ideja se Britania ia kaluar kotrollin e kufijve Brukselit.

“Britania ka humbur kontrollin mbi imigracionin. Na duhet të pranojmë këdo në këtë vend nëse kanë pasaportë të BE-së, edhe nëse kanë të kaluar kriminale. Nuk themi dot ‘jo’. Kjo është e dëmshme për sigurinë e Britanisë dhe krijon presion për vendet e punës dhe mundësitë për të rinjtë”, thotë Tom Harwood, me fushatën Brexit.

Vrasja e Jo Cox, një ligjvënëse kundër largimit nga BE-ja dhe pro-imigracionit, që dyshohet të jetë bërë nga një ekstremist i djathtë me probleme mendore, pati një efekt të fuqishëm në të dyja fushtata dhe votuesit.

“Ka patur shumë emocione negative për mënyrën sesi të dyja fushatat kanë vepruar”, thotë Mary White, votuese britanike.

Anketat tregojnë se që nga vrasje e 16 qershorit, fushata Largohu po humbet mbështetje, por të dyja palët janë shumë pranë, në referendumin që shumë besojnë se mund të ndryshojë rrjedhën e historisë evropiane.