Vullnetarë të shëndetshëm do të infektohen qëllimisht me koronavirus për të përshpejtuar zhvillimin e një vaksine, sipas planeve të shpallura nga qeveria britanike këtë javë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.
Në të gjitha provat aktuale të vaksinave të koronavirusit, vullnetarëve u jepet vaksina e mundshme - ose një placebo - dhe pastaj pritet derisa një numër i konsiderueshëm i tyre ekspozohet ndaj virusit gjatë jetës së tyre të përditshme. Kjo mund të zgjasë me muaj ose vite.
Qeveria Britanike njoftoi këtë javë se planifikon të fillojë provat e ashtuquajtura 'sfidë njerëzore' - duke infektuar qëllimisht vullnetarë të rinj dhe të shëndetshëm me virusin për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave. Disa njerëz kanë dalë deri tani vullnetarë.
"Shumë njerëz (po) po vuajnë. Dua që kjo pandemi të marrë fund. Çdo ditë që kalon, rastet shtohen, më shumë njerëz po vdesin. Dhe nëse kjo provë e vaksinës mund të nënkuptojë se kjo periudhë traume për gjithë botën do të mbarojë më shpejt, unë dua të ndihmoj. Dua të jem pjesë e kësaj përpjekjeje", thotë vullnetarja Danica Marcus.
"Personalisht, nuk mund ta lejoj këtë mundësi për të bërë diçka, të më kalojë kur jam shumë më pak i rrezikuar se njerëzit e tjerë", thotë vullnetarja Alastair Fraser-Urqhart.
Qeveria ka në plan të investojë më shumë se 43.4 milionë dollarë për këtë provë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mund të jetë domethënëse.
"Ka një histori shumë të gjatë të përdorimit të kësaj metode për zhvillimin e një numri vaksinash, si për shembull vaksinat e kolerës dhe tifos", thotë zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris.
Megjithatë, OBSH-ja ka shprehur disa shqetësime.
"Vullnetarët duhet të japin pëlqimin e plotë dhe duhet të zgjidhen në një mënyrë që minimizon rrezikun ndaj tyre. Sepse po i ekspozon njerëzit ndaj një virusi për të cilin nuk kemi mjekim", thotë zonja Harris.
Infeksionet, shtrimet në spital dhe vdekjet nga koronavirusi po rriten ndjeshëm në shumë vende të botës. Një vaksinë mbetet shpresa më e mirë për çdo kthim në normalitet.
"Aktualisht nuk kemi një mënyrë për të ndalur transmetimin. Dhe nuk kemi as kapacitetin financiar për të dhënë për të gjithë popullatën që ka nevojë për mjekim trajtime të shumëfishta me antitrupa, steroide etj, si ato që mori Donald Trump. Kostoja është mjaft e lartë për këto lloj trajtimesh. Nuk kemi vaksinë. Dhe për këtë arsye, duhet të kontrollojmë përhapjen e këtij virusi - jo vetëm ta menaxhojmë, por edhe ta përmbajmë atë", thotë Doktor Sterghios Moschos, i Universitetit Northumbria.
Presidenti Trump kohët e fundit u shtrua në spital dhe mori trajtim pasi doli pozitiv për virusin që shkakton sëmundjen COVID-19.
Synimi fillestar i ekipit britanik të kërkimit do të jetë të zbulojë sa është sasia më e vogël e virusit që mund të shkaktojë infektimin me COVID-19, duke përdorur doza të kontrolluara të virusit. Nëse miratohet nga rregullatorët dhe një komision etike, shpresohet që prova e plotë të fillojë në maj 2021 - akoma shumë muaj larg.