Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë, paralajmëron se vendi ballkanik që ende vuan pasojat e luftës, mund të përballet me "kërcënimin më të madh ndaj ekzistencës së tij në periudhën e pasluftës", nëse bashkësia ndërkombëtare nuk frenon veprimet e serbëve të Bosnjës.
Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, planifikonte të paraqiste këtë paralajmërim në një konferencë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por këshilli tha se paraqitja e tij u anulua për shkak të kundërshtimit nga Rusia, një aleate e ngushtë e Serbisë dhe serbëve të Bosnjës.
Zoti Schmidt paralajmëron se mundësitë e “konfliktit dhe ndarjes së mëtejshme janë shumë reale", nëse udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, tërheq trupat serbe nga ushtria boshnjake dhe krijon një forcë të veçantë serbe.
Këto veprime dhe kërcënime të tjera, nëse zbatohen, "në fund do të dëmtojnë aftësinë e shtetit për të funksionuar dhe për të përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese," shkroi zoti Schmidt në raportin, pjesë të të cilit janë publikuar nga mediat vendase.
Christian Schmidt, një diplomat i lartë gjerman, i quajti veprimet e Milorad Dodikut "të barabarta me shkëputjen pa e shpallur atë". Ai tha se ato “rrezikojnë jo vetëm paqen dhe qëndrueshmërinë e vendit dhe rajonit, por – nëse nuk marrin përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar – mund të çojnë në zhbërjen e marrëveshjes” së Daytonit, që i dha fund luftës së Bosnjës në vitin 1995.
Dodik u përgjigj të martën duke e hedhur poshtë raportin si "një pamflet propagandistik" që ishte shkruar për të "favorizuar myslimanët boshnjakë".
"Nëse ne jemi separatistë, ai është një pushtues", tha Milorad Dodik, duke shtuar se zoti Schmidt nuk përfaqëson askënd.
Lufta e Bosnjës filloi në vitin 1992 kur serbët, me ndihmën e ushtrisë jugosllave, u përpoqën të krijonin territore etnikisht të pastra, me synimin për t'u bashkuar me Serbinë fqinje. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe miliona mbetën të pastrehë përgjatë gjakderdhjes më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta hodhi kundër njëri-tjetrit boshnjakët, që janë kryesisht myslimanë, serbë dhe kroatë dhe përfundoi me marrëveshjen e paqes të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që krijoi dy rajone, Republika Srpskan dhe Federatën Boshnjako-Kroate. Të dy rajoneve iu dha autonomi e gjerë, por u mbajtën disa institucione të përbashkëta, përfshirë ushtrinë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore. Bosnja ka gjithashtu një presidencë tre anëtarëshe të përbërë nga boshnjakë, serbë dhe kroatë.
Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së Bosnjës, ka vite që mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për ta bërë atë pjesë të Serbisë. Një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.
Dodiku, i cili ka mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij, duke u zotuar se parlamenti serb i Bosnjës do të shpallte deri në fund të nëntorit krijimin e ushtrisë, autoritetit tatimor dhe gjyqësorit të vet.
Ai është kërcënuar se do të marrë kazermat e ushtrisë boshnjake të vendosura në pjesën serbe të Bosnjës sapo të formohet ushtria e entitetit serb dhe nëse perëndimi përpiqet të ndërhyjë, ai do të thërrasë për ndihmë "miqtë" e serbëve të Bosnjës.
Një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku zoti Schmidt do të dorëzonte raportin, ishte planifikuar fillimisht për të martën, por u shty për të mërkurën pasdite, me shpresën për të arritur një marrëveshje me Rusinë, gjë që diplomatët thanë se ishte e pamundur.
Zoti Schmidt duhej të fliste në një takim të këshillit për zgjatjen për një vit të mandatit të misionit paqeruajtës EUFOR në Bosnje. Diplomatët, që folën në kushte anonimiteti sepse këshillimet ishin private, thanë se votimi për të zgjatur misionin e EUFOR-it do të bëhet të mërkurën pasdite.
Rusia kërcënoi të vërë veton ndaj rezolutës që miraton zgjatjen e mandatit të EUFOR-it, nëse nuk hiqen të gjitha referencat për Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjën - një përpjekje e qartë për të dëmtuar autoritetin e zotit Schmidt si mbikëqyrës i marrëveshjes së paqes të vitit 1995.
Në korrik, Këshilli i Sigurimit hodhi poshtë një rezolutë të paraqitur nga Rusia dhe Kina, që do t'i hiqte menjëherë kompetencat e përfaqësuesit të lartë dhe do të eliminonte postin brenda një viti.
Para votimit, zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky, akuzoi përfaqësuesin e lartë se po sillet si "një car" me fuqi "pothuajse postkoloniale".
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka shkarkuar shumë zyrtarë, duke përfshirë gjyqtarë, nëpunës civilë dhe anëtarë të parlamentit që nga fillimi i punës dhe është kritikuar ashpër nga serbët e Bosnjës.