Bolton në Izrael, kërkon presion më të madh ndaj Iranit

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare John Bolton e quajti të turpshme marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin dhe tha se Shtetet e Bashkuara po ngulin këmbë pranë aleatëve evropianë për të bërë më shumë presion ndaj Iranit.

Zoti Bolton i bëri komentet në Jeruzalem ku u takua për ditën e dytë radhazi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Ai tha se moslejimi i Iranit që të ketë armën bërthamore është një çështje e "përparësisë më të lartë" si dhe arsyeja që Presidenti Trump vendosi të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe të rivendosë sanksionet ekonomike.

Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan me Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të arritur marrëveshjen me Iranin, i cili premtoi të kufizonte programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Ashtu si Presidenti Trump, zoti Netanjahu ka qenë një kritik i ashpër i marrëveshjes, duke thënë se ajo e favorizoi së tepërmi Iranin dhe si këmbim i kërkoi shumë pak. Ai tha të hënën se të gjitha vendet që besojnë në paqen dhe sigurinë duhet të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të rrisin presionin ndaj Iranit.

Para nisjes për në Izrael, zoti Bolton tha për ABC News se SHBA, Izraeli dhe Rusia ndajnë të njëjtin objektiv: dëbimin e forcave dhe të milicive iraniane nga Siria dhe Iraku. Ai tha gjithashtu se Irani duhet t’i japë fund mbështetjes për Hezbollahun që përkrahet nga libanezët.

Zoti Bolton do të vizitojë gjithashtu Ukrainën këtë javë dhe do të takohet me zyrtarët rusë në Gjenevë, në vijim të bisedimeve Trump-Putin në Helsinki.