Gjykata administrative rrëzoi padinë e banorëve kundër hidrocentraleve në parkun e Valbonës

Gjykata Administrative e shkallës së parë rrëzoi sot padinë e shoqatës “Toka” dhe banorëve të fshatit Margegaj në Tropojë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në parkun kombëtar të Valbonës.

Drejtuesja e shoqatës “Toka”, Catherine Bohne, tha pas shpalljes së vendimit se banorët do të ankohen menjëherë në gjykata të niveleve më të larta dhe janë të vendosur t’i ndalin ndërtimet në atë zonë të mbrojtur, një ndër më të famshmet për turizëm në Shqipëri.

Gjykata e shpalli sot vendimin pas disa seancash, ku u dëgjuan të gjitha palët.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore pohuan se lejet ndërtimore janë dhënë sipas ligjeve.

Firmat ndërtuese thanë se kanë në dorë të gjitha lejet mjedisore dhe detyrimet për rehabilitim të zonës.

Ndërsa banorët pohuan se në ato dokumenta ka falsifikime të shumta. Ata thanë askush nuk mund të ndërtojë hidrocentrale në një park kombëtar të mbrojtur me ligj dhe i kërkuan gjykatës pavlefshmërinë e të gjitha lejeve ndërtimore në parkun e Valbonës.

Në seanca të mëparshme gjykata administrative shqyrtoi padinë që shoqata “Toka” dhe 27 banorë nga Margegaj e Tropojës ngritën kundër ministrisë së energjisë, ministrisë së mjedisit dhe turizmit, Këshillit Kombëtar të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Ata i kërkuan gjykatës të shpallë pavlefshmërinë absolute të kontratës së koncensionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve “Dragobia” të lidhur në vitin 2009 nga ministria e energjisë dhe firmës “Gener 2”, si dhe gjithë urdhërat, vendimet, shtesat dhe lejet që janë dhënë në 7 vitet e fundit.

Por përfaqësuesit shoqërive “Dragobia Energji” dhe “Gener 2”, i kërkuan gjykatës, që kërkesa e banorëve të rrëzohej si e pabazuar në ligj dhe as në prova. Ata pohuan se të gjitha institucionet e kësaj fushe, mjedisore edhe energjie, i kanë konfirmuar si të rregullta lejet dhe projektet e shoqërisë ndërtuese.

Sipas tyre, banorëve dhe shoqatës “Toka” iu mungon legjitimiteti si paditës, nuk përmbushin kushtet ligjore për të hapur një proces në gjykatën administrative.

Protestat në mbrojtje të Valbonës kanë nisur prej një kohe të gjatë, sapo aty u shfaqën makineritë e para për gërmim tunelesh dhe përgatitje betoni.

Ata pohojnë se deri në atë çast asnjë prej tyre nuk u informua për letrat dhe kontratat që firmoseshin në kryeqytet.

Shoqëria civile dhe banorët kanë zhvilluar shpesh herë protesta me thirrjen “Mos ma prek Valbonën” edhe në zonën tursitike edhe në kryeqytet.

Disa ditë më parë Shoqata për Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare “Toka” protestoi para Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili sipas tyre, duhet të kishte ndaluar punimet e hidrocentraleve mbi lumin Valbona qysh në muajin maj.

Veprimtarët pohojnë se kompanisë i ka mbaruar 5 muaj më parë leja për ndërtim, e cila bie në kundërshtim me ligjin për zonat e mbrojtura, por IKMT, nuk ka ndërhyrë dhe në Valbonë mjedisi po shkatërrohet nga shpërthimet me dinamit dhe gërmimit të dy tuneleve për hidrocentral.