Roli i SHBA tek ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri

  • Keida Kostreci

Në gusht 1990, disa muaj para se të vendosej pluralizmi në Shqipëri, një delegacion amerikan bëri vizitën e parë zyrtare në Shqipëri që nga viti 1946, drejtuar nga ish- Senatori demokrat Dennis DeConcini. Kjo vizitë ishte në kuadër të Komisionit të Helsinkit, ose të asaj që atëherë quhej KSBE, nga i cili regjimi komunist donte të merrte miratimin për t’u bërë pjesë e procesit të Helsinkit, duke shpresuar të menaxhonte ndryshimet dhe të mos humbte pushtetin. Përgjigjia ishte negative, pasi reformat ishin të pamjaftueshme, një mesazh i qartë, por vizita kishte një rëndësi të jashtëzakonshme sepse u pa si një rikthim i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit, Robert Hand ishte një nga organizatorët e vizitës. Ai shkoi në Shqipëri me delegacionin dhe u rikthye tetë herë të tjera në vend me delegacione Kongresi dhe për të vëzhguar zgjedhje në kuadër të OSBE-së. Gjatë 25 viteve, ai u njoh me protagonistët e politikës shqiptare, ndoqi zhvillimet në vend dhe u bë një nga njohësit dhe analistët më me peshë të zhvillimeve në vend. Në pjesën e parë të një intervistë që zoti Hand i dha Zërit të Amerikës me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së pluralizmit, ai sjell kujtimet e tij nga ajo vizitë e pare, bën një analizë për formën e ndryshimit të sistemit në Shqipëri dhe rrëfen kontaktet ee para me ish-drejtuesit e regjimit dhe ata që u bënë më pas krerët e opozitës së pare demokratike.

Your browser doesn’t support HTML5

Bob Hand 25 vjet pas vizites se pare ne Shqiperi

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, ka kaluar një çerek shekulli që kur u vendos pluralizmi në Shqipëri. A mund të flisni pak për rolin tuaj në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1990 dhe çfarë kujtimesh keni nga ajo periudhë?

Robert Hand: Fillimisht dua të them se e kujtoj me nostalgji sepse ishte një periudhë gjatë së cilës kur punonim për procesin e Helsinkit me organizatën që është sot OSBE-ja, ne po shënonim përparime të rëndësishme me shumë nga vendet ish-komuniste, ishim dëshmitarë të rënies së perdes së hekurt, njerëzit mund të udhëtonin lirisht dhe të flisnin lirisht për herë të parë në jetën e tyre. Ajo që e bëri 1990-ën veçanërisht të rëndësishme për mua, ishte që një gjë e tillë u bë realitet edhe për popullin e Shqipërisë. Ne nuk ishim të sigurt se ç’drejtim do të merrte Shqipëria sepse nuk ishte pjesë e procesit të Helsinkit. Ishte i vetmi vend që kishte refuzuar të merrte pjesë në procesin origjinal të Helsinkit. Dhe regjimi komunist atje, ishte më shtypësi në Evropë kështuqë ne ishim vërtet të shqetësuar se asgjë nuk do të ndodhte dhe vendi do të vazhdonte të mbetej i shtypur, apo se nëse do të kishte një ndryshim, do të ishte i ngjashëm me çka kishim parë në Rumani, një vit më parë, që ishte një ndryshim i dhunshëm, gjë që nuk do të na pëlqente ta shihnim (në Shqipëri). Ky ishte konteksti kur Komisioni i Helsinkit, në atë kohë nën drejtimin e Senatorit Dennis DeConcini nga Arizona, mundi të shkonte për herë të parë në Shqipëri në gusht 1990 dhe gjatë asaj vizite ne krijuam kontaktet e para me pjesëtarë të qeverisë, si edhe me disa nga intelektualët e asaj kohe, përfshirë Sali Berishën, Gramoz Pashkon, ata që krijuan Partinë Demokratike më vonë atë vit. Me ardhjen e vjeshtës dhe dimrit, kishte një shqetësim real ndërsa dukej se po fillonte ndryshimi, nëse gjendja do të mbetej paqësore, nëse gjërat do të ecnin përpara.

Zëri i Amerikës: Si shihej situata nga Uashingtoni, edhe përpara se sa ju të shkonit në Shqipëri? Çfarë mendohej për Shqipërinë në atë kohë?

Robert Hand: Besoj se gjithkush e dinte që për t’u bërë anëtar i KSBE-së së atëhershme, OSBE-së së tanishme, apo siç i referohem unë Procesi i Helsinkit, duhet të respektoheshin të drejtat e njeriut dhe të zbatoheshin normat demokratike dhe Shqipëria ishte e fundit në këtë drejtim.

Për Shqipërinë, alternativa më e mirë, siç u perceptua në atë kohë nga Shtetet e Bashkuara ishte angazhimi aktiv, të flisnim me njerëzit, me udhëheqjen, t’i inkurajonim që të angazhoheshin

Prandaj ne e dinim se kishim përpara një sfidë të vështirë për ta ndihmuar vendin të ecte përpara. Pyetja ishte se si do ta bënim një gjë të tillë, nga këndvështrimi i hartimit të politikave. Të prisnim dhe të përpiqeshim të përdornim dëshirën për të marrë pjesë në Procesin e Helsinkit si mjet nxitës apo të angazhoheshim në mënyrë aktive dhe t’i përfshinim në proces?

Mendoj se për çdo vend, vendimi është i ndryshëm. Por për Shqipërinë, alternativa më e mirë, siç u perceptua në atë kohë ishte angazhimi aktiv, të flisnim me njerëzit, me udhëheqjen, t’i inkurajonim që të angazhoheshin dhe kjo do të krijonte një shkallë qëndrueshmërie që do të krijonte mundësinë për ndryshim. Ky ishte këndvështrimi nga Uashingtoni dhe ne ishim të angazhuar në mënyrë aktive, me dialog, duke shkruar letra, mënyra të tjera komunikimi. Kjo ishte para se të ekzistonin marrëdhëniet dypalëshe prandaj nuk kishte ambasadë këtu, por ne u përpoqëm t’i transmetonim shqetësimet tona, përfshirë përmes Zërit të Amerikës, që t’u transmetonim shqiptarëve se çfarë mendonte Komisioni i Helsinkit për këto çështje.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për letra dhe kontakte, kujt konkretisht i shkruanit dhe kë kontaktonit?

Robert Hand: Siç e përmenda, kryetari i atëhershëm i Komisionit Dennis DeConcini, që ishte aktiv në atë kohë dhe ishte i angazhuar në mënyrë aktive përsa i takonte Shqipërisë, ishte personi kryesor që komunikonte. Sigurisht që ne si pjesëtarë të personelit të tij, e këshillonim, ndiqnim ngjarjet dhe i thoshim se çfarë të bënte por pjesa më e madhe e komunikimit ishte përmes Senator DeConcinit dhe ai e mori përsipër personalisht vetë këtë rol, nuk është se ne i shkruanim letrat dhe ai thjesht i firmoste, ai ishte shumë i interesuar. Gjithashtu në atë kohë, qeveria shqiptare kishte një delegacion vëzhguesish në disa takime të KSBE-së, kështuqë mund të komunikonim përmes diplomatëve atje dhe përmes diplomatëve në Kombet e Bashkuara. Kështuqë herë pas here ne shkruanim letra ku shprehnim shqetësimet tona, hartuam një raport për takimin e gushtit dhe nxorrëm një deklaratë për shtyp ku shpreheshim se në ç’nivel mendonim se ishte Shqipëria. Ne thamë qartë në atë kohë se nuk mendonim se Shqipëria ishte gati të ishte anëtare me të drejta të plota në KSBE sepse duhej të përmirësonte gjendjen e të drejtave të njeriut, por ne shprehëm angazhimin tonë që të angazhoheshim në mënyrë aktive në këtë drejtim. Pra përmes deklaratave të ndryshme publike si edhe korrespondencës, ne u përpoqëm të përcillnim mesazhin tonë.

Zëri i Amerikës: Ai ishte në atë kohë shpresa juaj që qeveria të ndryshonte qëndrim dhe të lejonte pluralizmin, apo ishte synimi të ndihmonit ata që u bënë më pas udhëheqësit e opozitës që të vepronin më me forcë për të imponuar ndryshime aq sa ishte e mundur?

Robert Hand: Ne nuk po këshillonim njerëzit që ishin në terren dhe kërkonin ndryshim, njerëzit që demonstronin apo që më pas themeluan Partinë Demokratike se çfarë të bënin. Ne thjesht po u bënim të ditur që ne donim që Shqipëria të bëhej një demokraci dhe shpresonim që njerëzit të shkonin në atë drejtim. Pjesa më e madhe e komunikimit tonë ishte me qeverinë, për të parë se si do të reagonte dhe në fakt përgjegjësia kryesore e Komisionit ishte pikërisht kjo: jo çfarë po ndodhte, por si reagojnë qeveritë, të inkurajonim qeverinë që të krijonte hapje, të lejoheshin zgjedhje pluraliste, të bëhej standard liria e besimit, të lejohej liria e shprehjes, të ndërmerreshin një sërë hapash në drejtim të përpjekjes për respektimin e të drejtave të njeriut dhe vendosjes së demokracisë.

Në këto drejtime ishim përqendruar dhe sigurisht siç e përmenda më parë, ne ishim të shqetësuar se mos reagimi i qeverisë së atëhershme do të ishte më i dhunshëm, më kundër. Kështuqë i nxitëm që të lejonin rrjedhën e ngjarjeve, zhvillimin e ngjarjeve dhe do të thoja që në përgjithësi duket se na a dëgjuan fjalën, megjithëse mund edhe të kenë parë që ato zhvillime ishin të pashmangshme dhe ta kenë kuptuar se ishte më mirë që të lejonin valën e demokracisë sesa të përpiqeshin ta luftonin.

Po, ishte një revolucion por nuk ishte një revolucion në kuptimin e plotë të fjalës, me përmbysje regjimi, ishte një revolucion përmes një procesi gradual

Dhe sigurisht më pas kur u krijua Partia Demokratike, ne kishim qenë që më parë në kontakt dhe ishim takuar me disa nga njerëzit e angazhuar me themelimin e saj dhe menjëherë vendosëm kontakte me ta, veçanërisht siç e përmenda më parë, me Sali Berishën, Gramoz Pashko, si edhe me Azem Hajdarin.

Zëri i Amerikës: Gjatë viteve në Shqipëri, është diskutuar gjithmonë nëse ajo që ndodhi ishte një revolucion apo një krijim i sistemit pluralist nga garda e vjetër. Cila është pikëpamja juaj?

Robert Hand: Është e vështirë ta kategorizosh, sespe ndoshta ishte diçka mes të dyjave. Ishte një revolucion në kuptimin që sistemi ndryshoi. Kaloi nga një shtet komunist njëpartiak në një sistem pluralist, me shumë parti dhe njerëzit kishin mundësi të zgjidhnin. Ky është revolucion. Nuk ishte revolucion, në kuptimin që nuk ishte përmbysje e qeverisë, qeveria siç thashë më parë lejoi valën e ndryshimeve, pra ishte një lloj revolucioni evolucionar. Dhe për t’iu përgjigjur thelbit të pyetjes suaj, qeveria e kuptoi se nëse secili prej tyre donte ta ruante pushtetin, rruga më e mirë ishte të modifikonin qëndrimet e tyre, të bëheshin pak më pluralistë, por njëkohësisht të përdornin burimet dhe kapacitetet që kishte në atë kohë Partia e Punës në Shqipëri, për të mbijetuar në një Shqipëri më demokratike dhe kjo ndoshta solli si rezultat disa ndryshime brenda partisë. Zgjedhjet e para pa dyshim që nuk ishin absolutisht të lira dhe të drejta dhe Shqipëria kishte ende shumë punë për të bërë, që të konsiderohej demokratike. Prandaj do të thoja që po ishte një revolucion por nuk ishte një revolucion në kuptimin e plotë të fjalës, me përmbysje regjimi, ishte një revolucion përmes një procesi gradual. Dhe për këtë, do të thoja që personat e Partisë Demokratike dhe partive më të vogla opozitare, meritojnë vlerësim, sepse ata e dinin që mund të bënin më shumë presion po të donin, ndoshta mund ta kishin realizuar revolucionin por ata e dinin gjithashtu se ekzistonte mundësia për dhunë, ndoshta e dinin që kishte një shans që edhe të mos fitonin.

Ndoshta pjesë e vendimit të Ramiz Alisë dhe njerëzve që ishin në pushtet në atë kohë ishte që t’u bënin lëshime intelektualëve që njihnin ose me të cilët mendonin se mund të punonin

Dhe mendoj se për mënyrën sesi u përgjigj opozita ndaj rezistencës për ndryshim brenda regjimit, në një mënyrë shumë të përgjegjshme që i dha mundësi ndryshimit të ndodhte aq paqësisht sa ndodhi – sigurisht që kishte demonstrata dhe e mbaj mend që pas zgjedhjeve të para, pati edhe të vrarë në këto demonstrata por mund të kishte qenë shumë më keq - meritën do t’ja atribuoja të dyja palëve, për mënyrën sesi ndërvepruan që parandaloi një skenar të tillë.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të shkoj një hap më tej, duke folur për diçka që mund të konsiderohet teori konspiracioni, diçka që është përfolur për vite me radhë dhe kjo është që klasa politike në Shqipëri, u prodhua në takime sekrete të Ramiz Alisë në atë kohë, sepse ata ishin në thelb nga i njëjti brumë. Pra u përcaktua se kush do të ishin në Partinë Socialiste dhe atë Demokratike dhe nuk ishte diçka spontane. Si mendoni ju?

Robert Hand: E kuptoj se pse njerëzit mund ta kenë menduar një gjë të tillë. Mendimi im personal është se nëse nuk ishe një i burgosur politik, i mbyllur në qeli, ose një i ri student, do të ishe në një mënyrë apo një tjetër pjesë e regjimit ose sistemit. Pra çdo intelektual, pavarësisht se nga cila anë shkoi, vendosi të qëndrojë me Partinë e Punës që u kthye në Partinë Socialiste, ose hyri në Partinë Demokratike, shumë prej tyre ishin pjesë. Si person i jashtëm, nuk do t’i gjykoj se sa mund t’u jetë dashur të bëjnë kompromis me regjimin komunist, sepse në Shqipëri ishte pothuajse çështje mbijetese ta bëje një gjë të tillë dhe nuk e di se çfarë do të bëja unë po të jetoja në një sistem të tillë komunist për të mbijetuar, a do të futesha në parti dhe të bëja më të mirën e mundshme apo të dilja kundër dhe të futesha në burg për vite dhe dekada. Dhe kur filluan ndryshimet, vërtet ishin studentët dhe kur dolën nga burgu të burgosurit politikë, ishin edhe zërat e tyre, por pyetja shtrohej nëse ndonjë prej tyre i kishte mundësitë që ta transformonte situatën në dinamikën politike që do të çonte në zgjedhjet shumë partiake, apo nëse do të kishte vetëm protesta në rrugë dhe do të krijohej një krizë bllokuese. Dhe ndoshta pjesë e vendimit të Ramiz Alisë dhe njerëzve që ishin në pushtet në atë kohë ishte që t’u bënin lëshime intelektualëve që njihnin ose me të cilët mendonin se mund të punonin, në vend që të përballeshin me studentë apo ish-të burgosur politikë, me të cilët dialogu mund të ishte praktikisht i pamundur.

Ne kishim kërkuar të vizitonim burgje, të takonim disa njerëz etj dhe kur arritëm në aeroport në fakt na u dha një itinerar i përgatitur nga qeveria dhe na u tha që po të mos na pëlqente të ktheheshim mbrapsht

Të gjitha këto, të paktën në sytë e mi shpjegojnë sepse ngjarjet rodhën në mënyrë të tillë. Nuk mendoj se kjo do të thotë që kishte një konspiracion dhe që u krijua një opozitë artificiale dhe mendoj se mënyra se si është zhvilluar Shqipëria sidomos që nga viti 1992 tregon se këto ishin faktet. Dialogu mes dy palëve vazhdoi, bëri të mundur që ata që ishin në pushtet të qëndronin në pushtet, por pati edhe humbës si rezultat i ndryshimeve demokratike, mes atyre që ishin në elitën komuniste që më parë.

Zëri i Amerikës: A mund të përshkruani pak, se cilat ishin përshtypjet tuaja para dhe pasi shkuat në Shqipëri A e pyesnit veten se kë do takonit, me kë po flisnin, kujt do t’i besonit?

Robert Hand: Ishte e ndërlikuar për arsyet që përmenda më lart. Nuk kishim marrëdhënie dhe kjo e ndërlikonte jashtë mase situatën, përsa i takon organizimit të vizitës sonë të parë atje, madje edhe disa vizita të tjera të mëvonshme, por do të thoja dy gjëra.

Në atë vizitë ne hapëm pak portën dhe dërguam mesazhin njerëzve se Amerika u kthye. Dhe unë gjithmonë kam pasur shpresën që ajo vizitë ushtroi ndikim për ecurinë e Shqipërisë më pas.

Para së gjithash, senatori DeConcini ishte shumë i interesuar të shkonte, më thoshte “Bob më thuaj se çfarë duhet të bëj dhe do ta bëj” dhe kjo sepse ai kishte një përkushtim ndaj Shqipërisë, kishte solidaritet me atë që po u ndodhte shqiptarëve në Jugosllavinë fqinje, në Kosovë, prandaj ishte e ndërlikuar por nuk ndjehesha i irrituar, kisha ndjesinë që gjërat mund të bëheshin. U deshën shumë përpjekje, nuk ishte një vizitë tipike, u desh një kohë e gjatë edhe për të marrë leje për të fluturuar me avionin Air Force One VIP në Tiranë dhe pothuajse nuk shkuam dot për këtë arsye. Mendoj se është fakt historik që ne donim të merrnim me vete përkthyesin tonë, një njeri që audienca e Zërit të Amerikës e njeh mirë, Elez Biberajn dhe na u tha që nuk lejohej të vinte, gjë që na zhgënjeu. Isha i kënaqur që mundi të vinte në udhëtime të mëpasshme. Por ne donim dikë të palës sonë, nuk donim që thjesht t’ia besonim kujtdo që të përkthente, apo përgatiste takime nga pala tjetër. Gjëja që ishte më e çuditshme ishte se kur shkuam atje, nuk e dinim se çfarë do bënim, ne kishim kërkuar të vizitonim burgje, të takonim disa njerëz etj dhe kur arritëm në aeroport në fakt na u dha një itinerar i përgatitur nga qeveria dhe na u tha që po të mos na pëlqente të ktheheshim mbrapsht. Itinerari përfshinte një numër takimesh me qeverinë, sigurisht nuk bëhej fjalë për opozitë. Besoj së kërkuam një takim me Nexhmije Hoxhën dhe ajo e refuzoi kërkesën. Megjithatë kishte nja dy takime që kishim kërkuar, që na u lejuan. Njëri ishte një takim me minoritetin grek dhe një nga senatorët, senator Sarbanes i Merilendit që ishte i shqetësuar për gjendjen e minoritetit grek. Tjetra që mendoj se ishte një arritje e rëndësishme, ishte se ne kishim kërkuar që të mbanim një pritje dhe u dhamë një listë me personat që donim që të ftoheshin, njerëz që ne e dinim që ishin intelektualë në Shqipëri. Pritja u mbajt tek hotel Dajti dhe mendoj që të gjithë ata që ne kishim sugjeruar që të ftoheshin, ishin ftuar dhe pikërisht aty ku takuam disa nga njerëzit që më pas formuan opozitën. Dhe më kujtohet që një diplomat italian tha në atë kohë “Bob, të gjithë në Shqipëri e dinë se amerikanët u kthyen”. Kështu, në atë vizitë ne hapëm pak portën dhe dërguam mesazhin njerëzve se Amerika u kthye. Dhe unë gjithmonë kam pasur shpresën që ajo vizitë ushtroi ndikim për ecurinë e Shqipërisë më pas.

Zëri i Amerikës: Meqenëse në këtë pritje takuat disa nga njerëzit që më pas u bënë protagonistë, a mendoni se bisedat me ta ndihmuan përsa i takon pozitës së tyre ose a u dhatë kurajo të merrnin hapat e mëtejshëm në dimër të atij viti dhe më pas në 1991?

Robert Hand: Nuk besoj se u thamë që nëse bëni këtë, ne do t’ju mbështesim. Ne ishim shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. Ne u bëmë të ditur të gjithëve, nga të dyja palët se cilat angazhime të OSBE-së, ishin baza e punës sonë, përsa i takon zgjedhjeve të lira dhe të drejta, shtetit ligjor, respekt për të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe se çfarë prisnim. Ne i inkurajuam që të bënin të gjitha përpjekjet për të zbatuar ato angazhime. Se si do ta realizonin, do të varej prej tyre. Një gjë që ne i inkurajuam ta bënin, që është pak në drejtimin e asaj që po thoni ju, ishte inkurajimi i Institutit Republikan dhe atij Demokratik amerikan dhe të tjera organizata, që të fillonin të angazhoheshin në mënyrë aktive dhe të jepnin më shumë rekomandime të detajuara për mënyrën sesi formohej një parti politike, si të bënin fushatë etj dhe kjo për arsyen se ndryshe nga vendet e tjera me të cilat më është dashur të punoj, si për shembull ish-Jugosllavia, ku kuptohej pak a shumë se çfarë është demokracia dhe ishte thjesht çështja nëse zgjidhnin atë rrugë ose jo, në Shqipëri ishte ndjesia dhe këtu përfshihet edhe opozita se nuk kishin aspak përvojë me demokracinë, nuk e kuptonin se ç’ishte. Ne donim që të kishin një farë ekspertize që ta kuptonin se çfarë ishte demokracia.