Bob Dole, nderohet si shembull i vlerave më të mira amerikane

  • Keida Kostreci

Një prej drejtuesve më të njohur të Kongresit amerikan, ish Senatori Bob Dole, u nderua dje me Medaljen e Artë të Kongresit "për shërbimin ndaj vendit", në një ceremoni ku republikanët dhe demokratët, i lanë mënjanë përplasjet e forta partiake, për të nderuar një prej ligjvenësve më të shquar, që për dekadat që shërbeu në Kongres u njoh si politikan që luftonte për arritjen e konsensusit. Ceremoninë e ndoqi kolegia Keida Kostreci.

Your browser doesn’t support HTML5

Ish-Senatori Bob Dole nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit

Si rrallë ndonjëherë kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, republikanët dhe demokratët, ishin jo vetëm të pranishëm në një ceremoni, por të bashkuar në një zë për të nderuar një nga figurat më me peshë të politikës amerikane moderne. Ish-Senatori Bob Dole u nderua me Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni ku theksi u vu tek shërbimi, heroizimi dhe udhëheqja e ish-senatorit Bob Dole.

Presidenti Donald Trump e quajti ish-senatorin nga Kansasi, një amerikan të madh që erdhi nga një qytet i vogël dhe u bë ushtar, kongresmen dhe një udhëheqës i admiruar nga të gjithë.

“Kjo është trashëgimia që i lë vendit tonë madhështor dhe do të ekzistojë për një kohë të gjatë pasi të mos jemi më këtu. Je një mik, një patriot, një hero, një udhëheqës dhe sot nderohesh me Medaljen e Artë të Kongresit. Është një nder që jam këtu me ty Bob, faleminderit për shërbimin tënd.”

Zoti Dole ishte një përkrahës i hershëm i Presidentit Trump dhe i vetmi ish-kandidat presidencial republikan që e mbështeti atë.

Medalja iu dha ish-senatorit për shërbimin ndaj vendit si “ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti” dhe iu dorëzua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Bob Dole ka luftuar gjithmonë për ata që kanë luftuar për ne. Ai është mishërimi i njeriut të ndershëm. Është ky lloj heroi amerikan, mbrojtës vetëmohues, i palëkundur i atyre që nuk mbrojnë dot veten, që nuk marrin gjithmonë atë vlerësim që meritojnë”.

“Senator Dole, falë jush Amerika është shumë më mirë. Në emër të Kongresit dhe gjithë amerikanëve ju faleminderit dhe zoti ju bekoftë”, tha ai.

Vetë zoti Dole falenderoi të pranishmit dhe me humorin që e karakterizon dhe që u vu në pah nga të pranishmit, bëri shaka.

"Dua të falenderoj të gjithë folësit që thanë aq fjalë të mira. Ndoshta nuk janë të vërteta por ishin të mirë me mua”, tha ai.

I respektuar nga të dyja palët e politikës

Pat Roberts, senator republikan nga Kansasi, përmendi përçarjen në politikën amerikane dhe tha se disa mund të thonë që nuk ka asnjë temë për të cilën të biem të gjithë dakord. Mesa duket vlerësimi për zotit Dole, nuk ishte një prej tyre. Për të dhënë medaljen, duhet mbështetja e 2 të tretave të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 67 senatorëve.

“Në më pak se dy ditë, kisha siguruar votat e të 100 senatorëve. Nuk kisha nevojë të shkoja t’u kërkoja firmat, ata erdhën tek unë dhe më pyetën nëse mund të nënshkruaja. Duhet të jesh një person shumë i veçantë që ne të 100 të jemi kaq entuziastë dhe mirënjohës, që të bashkoheshim për këtë kauzë bipartizane për këtë vlerësim të veçantë”, tha ai.

Patrick Leahy, Senator demokrat nga Vermonti dhe mik i Senatorit Dole, vlerësoi aftësitë e tij, si udhëheqës bindës, i besueshëm dhe që gjithmonë e mbante fjalën.

“Ai u bë shembull i vendosjes së interesave të vendit, para atyre të partisë”, tha ai.

“Senatori Dole, ka thënë: ‘sfida jonë nuk është që të vëmë në diskutim idealet e Amerikës, ose t’i zëvendësojmë ato, por të arrijmë të jemi në lartësinë e tyre. Le t’i kushtojmë vëmendje këtyre fjalëve kuptimplota. Senatori Bob Dole, për një jetë të tërë që ju keni kaluar duke mbrojtur, çuar përpara dhe mishëruar idealet tona më të çmuara amerikane, ju falenderojmë”, tha kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti

Ish- Senatori Dole, është një legjendë e politikës dhe ndërgjegjes amerikane. Si ushtar në Luftën e Dytë Botërore, ai u plagos rëndë në Itali në vitin 1945 dhe asnjëherë nuk rifitoi komandën e dorës së djathtë.

Që atëherë, ai gjithmonë mbante një laps në atë dorë, në mënyrë që askush që e takonte të mos përpiqej t'ia shtrëngonte atë.

Ai filloi karrierën 35 vjeçare në politikë në moshën 27 vjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, ku i bë kreu i republikanëve, një post që e mbajti për afro 11 vjet nga 1985 - 1996.

Ai ishte kandidat republikan për president në vitin 1996 por humbi garën para Bill Clintonit, i cili kandidonte për rizgjedhje, Pasi humbi, ai dha dorëheqjen nga Senati.

Hero për shqiptarët

Ish- Senatori Dole kujton se megjithëse humbi në fushatën presidenciale, ai kishte fituar votat e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dhe për një arsye të fortë.

Zoti Dole është një hero për shqiptarët për rolin që luajti për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës.

Për këtë arsye, Xhim Xhema, një biznesmen dhe veprimtar i kahershëm shqiptaro-amerikan dhe mik i zotit Dole, që e ndihmoi edhe gjatë fushatës presidenciale, nuk mund ta mos ishte i pranishëm në ceremoni:

“Senatori Dole, nuk është vetëm një hero amerikan, por një hero i madh shqiptar, një shqiptar i madh. Ai na shpëtoi dy herë. Kur filloi lufta dhe Serbia na përzuri nga shtëpitë tona. Më pas ishte ishte personi kryesor që e bindi Senatin të mbështeste Bill Clintonin që të ndërhynte kundër ish-Jugsllavisë, atëherë Serbia."

Por ai shton se angazhimi i tij ishte instrumental edhe më pas, duke thënë se ishte ai që e bindi ish-Presidentin Bush që të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

"Pra për herë të dytë ai na shpëtoi. Ai është heroi ynë dhe na shpëtoi dy herë nga pushtimi. Unë them se përveç Skënderbeut, Bob Dole është figura më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë dhe i kemi një borxh të madh”, thotë zoti Xhema.

Elmi Berisha, veprimtar shqiptaro-amerikan, që ka bashkëpunuar me zotin Dole, si ish-përfaqësues i posaçëm i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara, tha se ceremonia është e rëndësishme sepse po dekorohet një hero amerikan por edhe sepse...

“Po dekorohet një hero amerikan tek shqiptarët, sepse senatori Dole është një nga njerëzit kryesorë, i cili ka ndihmuar në pavarësinë e Kosovës. Sikur të mos ishte senatori Dole, pavarësia e Kosovës do të ishte pak më ndryshe.”.

Arsyeja tjetër thotë ai, ishte miqësia e zotit Dole me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.

“Burra si senatori Dole, personalitete si ai i senatorit Dole, vijnë rrallë dhe janë të pashlyeshëm në historinë e shqiptarëve, kryesisht në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pavarësinë e Kosovës. Prandaj ne si shqiptaro-amerikanë, duhet të mos ndalemi asnjëherë por të punojmë me miqtë tanë amerikanë siç e kemi senatorin Dole dhe miq të tjerë që i kemi ende dhe miq të rinj që do të vijnë në Kongres dhe në Senat dhe ta ndërtojmë dhe të kultivojmë marrëdhëniet të cilat kanë qenë tradicionale që thoshte presidenti historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova që duhet të jemi dhe të mbetemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Amerika është jetike për shqiptarët. Shqiptarët i janë mirënjohës tërë jetën Amerikës”.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

Bashkëshorte dhe partnere

Në ceremoninë e djeshme, shumë nga folësit vlerësuan dhe bashkëshorten e zotit Dole, Elizabeth Dole, ish-senatore dhe ish-sekretare transporti. Dhe ishte pikërisht ajo që foli në emër të shokut dhe partnerit të jetës:

"Çfarë privilegji të flas në emër të njeriut që dua", tha ajo para se të lexonte pjesën tjetër të fjalës së bashkëshortit të saj.

Dhe në emër të tij, ajo përfundoi.

"Po ndaj me ju një mësim që e kam nxjerrë gjatë 60 vjetëve. Udhëheqja fillon duke parë përtej momentit, tek e ardhmja."