Bjellorusi, policia përdor armët, arreston protestues

Bjellorusia tha të mërkurën se policia kishte përdorur armët e zjarrit ndaj protestuesve në qytetin e Brestit dhe kishte arrestuar më shumë se 1.000 njerëz në mbarë vendin, duke intensifikuar masat kundër protestave paszgjedhore, gjë që e ka bërë Bashkimin Evropian të shqyrtojë sanksione të reja ndaj Minskut.

Forcat e sigurisë janë përleshur me protestuesit për tre netë radhazi pas pretendimit të presidentit autoritar Aleksandër Lukashenko se kishte fituar me shumicë dërrmuese zgjedhjet e së dielës për një mandat të dytë. Rivalët e tij thonë se zgjedhjet u manipuluan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u bëri thirrje autoriteteve në Bjellorusi të mbrojnë protestuesit dhe t'u japin qytetarëve të vendit më shumë liri politike.

"Ne duam që njerëzit në Bjellorusi të kenë liritë që ata kërkojnë," tha z. Pompeo në një konferencë shtypi të mërkurën me Kryeministrin Andrej Babiš në selinë e qeverisë së Republikës Çeke në Pragë.

Qindra protestues dolën përsëri në rrugë të mërkurën. Gratë e veshura me të bardha formuan një zinxhir jashtë një tregu ushqimesh në kryeqytetin Minsk, ndërsa një turmë tjetër u mblodh pranë një burgu ku mbaheshin protestuesit e arrestuar.

Lukashenko ka kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin në klimën e tensioneve me aleaten tradicionale, Rusinë.

Brukseli hoqi sanksionet, të vendosura në vitin 2016 për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut, por do të shqyrtojë masa të reja këtë javë.

Lukashenko, 65-vjeçar, ish-menaxher i fermave kolektive sovjetike, i cili e ka qeverisur Bjellorusinë prej më shumë se një çerek shekulli, po përballet me zemërimin e publikut për mënyrën e trajtimit të koronavirusit, për rënien ekonomike dhe për gjendjen e të drejtave të njeriut.

Ministria e brendshme e Bjellorusisë tha se 51 protestues dhe 14 oficerë policie ishin plagosur në përleshjet gjatë natës të së martës.

Në Brest, qytet i Bjellorusisë jugperëndimore në kufirin me Poloninë, policia përdori armët e zjarrit, pasi sipas saj, disa protestues të armatosur me shufra metalike nuk kishin përfilluar të shtënat paralajmëruese në ajër. Një person u plagos.

Lukashenko ka akuzuar protestuesit se po bashkëpunojnë me mbështetës të huaj në Rusi dhe vende të tjera.

Media shtetërore bjelloruse këtë javë transmetoi pamjet e një furgoni me targa ruse në Minsk, duke thënë se ishte i mbushur me municione dhe tenda.

I pyetur nga agjencia e lajmeve Reuters, pronari i furgonit, Valdemar Grubov tha se ishte producent filmash dhe se automjeti përmbante vetëm sendet e tij personale.

Rivalja e Lukashenkos në votimet e së dielës, Sviatlana Tsikhanouskaya, një ish-mësuese 37-vjeçare e anglishtes, ka shkuar në Lituaninë fqinje për t'iu bashkuar fëmijëve të saj atje. Ajo i ka nxitur bashkatdhetarët për të mos e kundërshtuar policinë dhe për të mos e vënë jetën e tyre në rrezik.