Një zyrtar i lartë amerikan i emigracionit u zotua për një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj fluksit të minorenëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, gjatë një dëshmie në Kongres, Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, u tha ligjvënësve se një krizë emigracioni e shfaqur që në fillimet e presidencës Biden është vendosur nën kontroll.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Biden rithekson nevojën për një reformë të emigracionit nëpërmjet një takimi të premten me përfitues nga programi DACA, një program që u ofron status ligjor emigrantëve pa dokumenta të sjellë në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Zgjatja e këtij programi popullor me publikun amerikan, u miratua më herët këtë vit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe tashmë ka ngecur në Senat, ku palët politike janë njësoj të përfaqësuara. Senatorët republikanë thonë se administrata Biden përballet me një krizë në kufirin SHBA-Meksikë.
“Kriza e sotshme është e paprecedent, shumë më e keqe se ç’ishte vitin e kaluar, dhe madje edhe shumë më keq se në vitin 2019, kur të gjithë e konsideronin një krizë”, tha Senatori republikan Rob Portman.
Administrata reagoi të enjten duke thënë se është rezultat i politikave të epokës Trump.
“I jemi përkushtuar një sistemi emigracioni të rregullt, të sigurtë dhe human. Kemi ndalur pra politikën e administratës së mëparshme për dëbimin e fëmijëve të pashoqëruar. Nuk i refuzojmë më”, tha Alejandro Mayorkas, Sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufi ka rënë nën 500 këtë javë.
“Në muajin mars ishin mbi 5 mijë fëmijë që mbaheshin nga Patrulla Kufitare. Secili prej tyre kalonte mesatarisht 115 orë i ndaluar në mjediset e Patrullës Kufitare. Por deri këtë të martë, ka 455 fëmijë që mbahen nga Patrulla Kufitare; secili qëndron rreth 28 orë. Kjo është një rënie dramatike e numrit të fëmijëve dhe e kohës që ata mbahen”, tha Senatori demokrat Alex Padilla.
Ndalimi i të rriturve në kufirin SHBA-Meksikë është shtuar, por ky numër reflekton përpjekjet e përsëritura të të rriturve pa dokumenta për të kaluar kufirin. Nënpresidentja Kamala Harris është ngarkuar me zgjidhjen e disa prej problemeve rrënjësore të emigracionit, një mision që republikanët thonë se nuk do të jetë i mjaftueshëm.
“Ne nuk mund t'i zgjidhim të gjitha problemet e botës, aq më pak problemet në Amerikën Latine dhe problemet këtu në vendin tonë. A jeni dakord që ne duhet të përqendrohemi në vëzhgimin e kufirit tonë, përfundimin e barrierës kufitare, përdorimin e teknologjisë. Nëse është teknologjia atëherë le ta përdorim, por të merremi me këtë në mënyrë urgjente dhe agresive?", tha Senatori republikan Mitt Romney.
"Senator, jemi vërtet të përqëndruar në sigurimin e kufirit tonë, dhe në fakt përdorimi i teknologjisë është mënyra më efektive, ose një nga më efektivet, për ta bërë këtë - numri një", tha Sekretari Mayorkas.
Buxheti i shtuar për sigurinë e kufirit ka të ngjarë të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të hartuar për të kaluar propozimin gjithëpërfshirës të reformës së emigracionit të ligjvënësve demokratë të prezantuar në fillim të këtij viti.