Biden, kundër sugjerimit për të mos dalë në debat me Presidentin Trump

  • Steve Herman

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, po refuzon thirrjet për të mos marrë pjesë në një debat zyrtar me Presidentin Donald Trump.

"Do të debatoj me të. Do të bëj verifikuesin e fakteve në skenë ndërsa do të jem duke debatuar me të", tha zoti Biden të enjten gjatë një interviste për kanalin MSNBC.

Ish-nënpresidenti shtoi se "mendoj se të gjithë e dinë se ky njeri ka tendencën pothuajse patologjike për të mos thënë të vërtetën".

Presidenti Trump dhe ish-Nënpresidenti Biden pritet të debatojnë në datat 29 shtator, 15 tetor dhe 22 tetor.

Zoti Biden i bëri deklaratat pak pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ajo nuk mendonte se duhet të kishte debate presidenciale këtë vit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi

"Nuk do ta legjitimoja një bisedë me të, dhe as një debat për sa i përket presidencës së Shteteve të Bashkuara", tha zonja Pelosi.

Ajo parashikoi se gjatë debateve, Presidenti Trump "ndoshta do të vepronte në një mënyrë që është nën dinjitetin e presidencës", duke kujtuar veprimet e tij gjatë debateve për vitin 2016 me ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton kur ai i qëndronte nga pas kandidates demokrate gjatë një takimi me publikun.

Me 67 ditë të mbetura deri në zgjedhjet e vitit 2020, demokratët po vazhdojnë të sulmojnë Presidentin Trump për përgjigjen e administratës së tij ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë 180'000 njerëz në Shtetet e Bashkuara - shifra më e lartë e raportuar nga çdo vend tjetër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Me ndoshta gjuhën më therëse deri më tani nga dyshja e rivalëve të partisë opozitare, kandidatja demokrate për nënpresidente, Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, tha se ndërsa kërcënimi nga virusi u rrit, "Donald Trump qëndronte pa vepruar, dhe njerëz, ky ishte një vendim vdekjeprurës".

Donald Trump ngriu. Ai u frikësua. Dhe ishte i vogël dhe hakmarrës", tha ajo në një fjalim të drejtpërdrejtë nga Universiteti "George Washington" në Uashington.

Kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris

Në daljen e saj të parë e vetme gjatë fushatës, zonja Harris tha se ndërsa zoti Biden ka propozuar një plan për të luftuar COVID-19, presidenti aktual ende nuk ka një plan.

"Nuk ndalet me një mesazh në Twitter", tha ajo.

Zonja Harris tha se Presidenti Trump ka dështuar në detyrën më themelore të një presidenti, që është mbrojtja e popullit amerikan.

Presidenti Trump ka theksuar në mënyrë të përsëritur vendimin e tij në fund të janarit për të ndaluar hyrjen e kujtdo që kishte qenë në Kinë gjatë 14 ditëve të mëparshme, vendim që erdhi menjëherë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.

Presidenti ia atribuon veprimit të tij shpëtimin e mundshëm të miliona jetëve amerikane, dhe thotë se zoti Biden e kritikoi në atë kohë.

Një ditë pas masës së ndalimit për Kinën, zoti Biden e quajti Presidentin Trump ksenofob dhe tha se presidenti duhet të marrë vendime bazuar në shkencë. Por, demokratët pretendojnë se ish-nënpresidenti po e kritikonte Presidentin Trump në përgjithësi, dhe jo për këtë politikë specifike.