Kryeministri irlandez Brajën Kauën po përballet me thirrjet për zgjedhje të parakohshme nga ligjvënësit opozitarë dhe të koalicionit, një ditë pasi ra dakort për një paketë ndihmash financiare për ekonominë në krizë të Irlandës.
Ministrat e jashtëm evropianë e përshëndetën njoftimin e Irlandës se ka rënë dakord në parim për një paketë financiare me Bashkimin Evropian dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të shpëtuar bankat e saj në gjendje të vështirë. Hollësitë e paketës që zyrtarët thanë se mund të arrijë 110 deri 123 miliard euro, janë ende duke u përpunuar, ndërkohë që qeveria irlandeze përgatitet të zbatojë një plan masash emergjente.
Qeveria e zotit Kauën mohoi për javë të tëra të kishte nevojë për ndihmë në trajtimin e krizës së bankave dhe buxhetit, por pranoi ofertën e BE-së dhe FMN-së dje.
Një partner i koalicionit të zotit Kauën tha se irlandezët ndjehen të tradhëtuar nga ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit irlandez.