Zyrtarë të partive Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE kanë pohuar se drejtuesit e dy partive kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re. BDI-ja do të ketë dy zëvendës-kryeministra, pesë ministra, katër zëvendësministra dhe pesë sekretarë shtetërorë në kabinetin e ri që do ta drejtojë Nikolla Gruevski. Dy partitë kanë rënë dakord edhe për zgjidhjen e disa problemeve të vjetra; si rrjedhojë, Parlamenti e filloi sot debatin për ndryshime në ligjet për përdorimin e gjuhës dhe flamurit shqiptar. Shqipja nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në vend por do të gjejë përdorim më të gjerë.
Burime brenda partive Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE kanë bërë me dije se kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, por ky vendim nuk është bërë zyrtar ende në mënyrë publike. Vendet e BDI-së në qeveri janë ato të cilat janë përfolur gjatë javëve të kaluara: Ministria e Mbrojtjes, e Drejtësisë, e Ekonomisë, e Pushtetit vendor dhe Ambientit jetësor si dhe dy poste të zëvendëskryeministrave, njëri për Integrimet Evropiane dhe tjetri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Por BDI-ja nuk do të drejtojë asnjërën nga drejtoritë e zbulimit dhe kundërzbulimit, as Drejtorinë e Sigurimit Publik apo atë të Doganës, e as Drejtorinë e të Ardhurave Publike, siç spekulohej gjatë javëve të tëra se i kërkon kjo parti shqiptare. BDI-ja duket se do ta marrë Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Agjensinë e Investimeve të huaja dhe Drejtorinë e Rrugëve.
Dy zëvendëskryeministrat e rinj pritet të jenë Teuta Arifi, për Integrime Evropiane dhe Musa Xhaferi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ministri i deritashëm i Ekonomisë Fatmir Besimi do ta drejtojë ministrinë e Mbrojtjes; për Ministër të Drejtësisë lakohet emri i ish-deputetit Adnan Jashari. Abdilahqim Ademit, aktualisht zëvendëskryeministër për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit do ta drejtojë ministrinë e Ambientit jetësor. Ende nuk dihet se kush ta zë vendin e ministrit të ri të Ekonomisë dhe atë të Pushtetit vendor.
Partnerët e deritashëm të koalicionit gjithashtu thuhet të jenë marrë vesh për katër rastet e njohura si të Hagës që ato të mbyllen në kuadër të ligjit për amnistinë e vitit 2001, si dhe për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të flamurit shqiptar.
Pritet që marrëveshja të zyrtarizohet te enjten.
Rrjedhimisht, sot Parlamenti e hapi debatin mbi plotësimin dhe ndryshimet e ligjeve për përdorimin e shqipes dhe të flamurit shqiptar, me propozim të BDI-së. Pjesë të këtyre ligjeve u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë para pak vitesh, ndërkohë që sipas propozimit të ri të BDI-së shqipja do të gjejë përdorim të zgjeruar në Parlament; kryesuesi i seancave nëse është shqiptar, do të mund t’i drejtojë ato në gjuhën shqipe, poashtu edhe drejtuesit e komisioneve parlamentare nëse janë shqiptarë të mund t’i drejtojnë ato në gjuhën e tyre amtare, që nuk ka qenë rast deri tash. Edhe ministrat shqiptarë, në Parlament do të mund të flasin shqip, sipas propozimligjit të BDI-së.
“Për ta hequr atë zbrazëtirë, ne dalim me këtë propozim për ndryshimin e Nenit 3, Alineja 2 që do t’u mundësojë deputetëve, të zgjedhurve dhe të emëruarve nga Parlamenti që ta përdorin gjuhën shqipe, natyrisht nëse komunikojnë në këtë gjuhë dhe nëse i përkasin komunitetit shqiptar”, thotë Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.
Por Partia Demokratike Shqiptare e opozitës e quan propozim ligjin jocilësor ndërsa aktin e BDI-së e vlerëson si dorëzim para VMRO-së.
“Kjo nuk është marrëveshje; ky është nënshtrim; është flamuri i bardhë i BDI-së i para VMRO-DPMNE-së”, tha Zijadin Sela, deputet i PDSH-së
Deputetët maqedonas të opozitës reagojnë për shkak se ndryshimet e ligjeve do të bëhen me procedurë të shkurtuar dhe të shpejtë.
Ata thanë se kjo është mënyrë 'kontrabandiste' e ndërhyrjes ndaj kushtetutës.
Parlamenti e ka shumicën e nevojshme për t’i miratuar ndryshimet në ligjet e lartpërmnedura.