Bashkëpunimi i të rinjve nga hapësira shqiptare

  • Raimond Kola

Your browser doesn’t support HTML5

Të rinj nga hapësira shqiptare dhe disa vende europiane po bashkëpunojnë në Gjirokastër për ide krijuese për trashëgiminë kulturore. Të rinjtë i vlerësojnë takime të tilla për të paraqitur punët e tyre dhe përmirësuar nivelin profesional. Për shumë të rinj nga hapësira shqiptare migrimi mbetet një problem që po prek edhe profesionistët dhe ata synojnë të gjejnë rrugë të reja për t`i shërbyer vendit të tyre.

Valbona Fejza nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut punon me një fustanellë të Gjirokastrës për ta përshtatur në dizenjimin e një çadre. Me profesion arkitekte, ajo është mes një grupi të rinjsh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut por edhe Italia, Rumania dhe Ukraina, që janë mbledhur në Gjirokastër për një kamp arti. Valbona thotë se synon të merret me dizajn duke shfrytëzuar edhe traditën dhe mjeshtëritë shqiptare.

“Dua të merrem me dizajn dhe dizajni duhet të ketë një kuptim për njerëzit. Nuk dua të jetë i zbrazët, prandaj kam ardhur edhe në këtë kamp, që të takohem edhe me artizanët dhe me njerëzit e Gjirokastrës”.

Valbona thotë më tej se shumë të rinj në vendet e Ballkanit kanë prirjen për të emigruar. Edhe vetë ajo nuk është jashtë kësaj prirje. “Por aktivitete të tilla të rrisin vetëbesimin për t`i shërbyer profesionalizmit dhe punës për vendin ku jeton’, thotë Valbona.

“Ka tendencë për emigrim dhe nuk mund të them që nuk është edhe nga ana ime. Por në këto raste si ky kamp, më jep një shpresë që mund të investoj më shumë në trevat shqiptare dhe të ndalem, të mësoj dhe të investoj këtu.”

Ndërsa Fatbardh Kabashi nga Rahoveci i Kosovës merret me “string art”, një mjeshtëri punimi me gozhdë dhe penj. Ai thotë se synon të gjejë frymëzimin për punën e tij në këtët qytet me plot pasuri kulturore që mbrohet nga UNESCO:

“Unë jam duke vizituar fillimisht gjithë qytetin duke u frymëzuar nga detajet dhe motivet që ka Gjirokastra dhe po mendoj ti shpreh ato motive në “string art”, me të cilin unë punoj."

Fatbardhi thotë se ka ambicje të lëvizë për të njohur kultura, por me idenë për të kontribuar për vendin e vet:

“Aspirata për të lëvizur është gjithmonë. Unë mendoj se duhet të lëvizim dhe të shohim botën, qytete dhe vende të ndryshme, të takohemi me shumë njerëz, por të kthehemi në vendin tonë e të punojmë për vendin tonë. Kjo është aspirata ime”.

Ndërsa Dajana Langa thotë se është nga Rumania dhe ka mbledhur disa nga motivet në punimet e tezgjahut.

"Kam ardhur në këtë kamp për të prodhuar një produkt të ri për artizanët duke dizenjuar një çantë që të jetë e pëlqyeshme për të rinjtë duke u mbështetur pikërisht tek motivet e traditës këtu në Gjirokastër. Ky qytet është me plot pasuri kulturore dhe po punoj duke grumbulluar materiale’.

Kampi i të rinjve krijues në Gjirokastër mbështetet nga Programi “Europa krijuese”. Edvin Lamçe që drejton këtë kamp për Fondacionin “Gjirokastra” thotë se të rinjtë kanë mundësi të kombinojnë përvojat e tyre:

"Për një javë në Gjirokastër jemi duke zhvilluar një kamp me artistë dhe me krijues ndërkombëtarë që vijnë nga vende të ndryshme si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Italia dhe Rumania. Tematikat janë të larmishme, krijuesit hulumtojnë në zonën historike, takohen me artistët lokalë dhe së bashku krijojnë punët e tyre, të cilat bazohen në trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës".

Zoti Lamçe thotë se puna në këtë kamp është një ndihmë për të rinjtë që ata të qëndrojnë e punojnë në vendet e tyre duke marrë eksperienca të ndryshme.

“Kreativiteti që vjen në këtë rast në kampin e artistëve është një ndihmë për ta që të mendojnë për të qëndruar dhe punuar në vendet e tyre. Natyrisht duke marrë eksperienca, duke krijuar dhe punuar pë rrritjen e tyre profesionale në kuptimin e kreativitetit, i cili është një mënyrë jetese për shumë nga artistët tanë.

Shumë të rinj kanë shprehur nevojën e shtimit të aktivteteve të tilla sidomos në hapësirën shqiptare për të pasur më shumë profesionistë në fusha të ndryshme dhe rritur kontributin e tyre në vendet ku jetojnë.