Në Shqipëri, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i ka paraqitur sot kryeministrit Sali Berisha dorëheqjen nga detyra e Ministrit të Brendshëm, pas vendimit të shumicës që ai të jetë kandidati i saj për Bashkinë e kryeqytetit në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Po sot zoti Basha, sipas një njoftimi zyrtar, në një letër dërguar Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë duke qenë se ligji e konsideron të papajtueshëm me shpalljen e kandidaturës për zgjedhje vendore.
Sipas të gjitha gjasave, zoti Basha pritet të ketë përballë në këtë garë, kryetarin aktual të bashkisë së kryeqytetit Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetar i opozitës shqiptare.
Zoti Rama pritet të kërkojë një mandat të katërt, ndonëse kandidatura e tij nuk është zyrtarizuar ende. Nga ana e saj Partia Demokratike pritet të shpallë nesër kandidatët e saj për bashkitë dhe komunat e vendit.