Në Tiranë, shoqata e pacientëve me talasemi i kërkoi qeverisë rimbursimin e një ilaçi të ri me fuqi më të madhe shëruese dhe më pak efekte anësore.
Shqipëria ka mbi 600 fëmijë e të rinj me talasemi.
Your browser doesn’t support HTML5
Shoqata e personave me sëmundjen e talasemisë po u kërkon autoriteteve shëndetësore futjen e ilaçit të ri kryesor të tyre në listën e mjekimeve të rimbursuara nga shtetit.
Ata po kërkojnë zëvendësimin e ilaçit të mëparshëm nga viti 2006 me një të ri të prodhuar këtë vit.
Problemet kryesore të tyre janë transfuzioni i gjakut, ilaçi i posaçëm që mbështet mjekimin dhe kujdesi i mangët mjekësor.
“Në vitin 2000 shumica e mjekëve mendonin që fëmijët me talasemi nuk mund të jetonin më shumë se sa 20 vjeç, ndërsa tani falë ilaçit të rimbursuar nga viti 2006 jetëgjatësia e tyre është shtuar dhe disa prej tyre janë martuar e janë bërë prindër” - tha Musa Zenelaj, drejtues i shoqatës së personave talasemikë.
Sa i takon jetëgjatësisë, sot ilaçi i ri i krijuar në Zvicër ka fuqi shëruese më të madhe, sjell më pak efekte anësore, është më i mirë dhe më i lirë.
Ata i kërkuan kryeministrit Rama, ministrisë së shëndetësisë dhe komisionit parlamentar përkatës, që në listën e rimbursimeve të futet edhe ilaçi i ri dhe për këtë sapo kanë marrë një përgjigje pozitive e janë plot shpresa.
Shqipëria ka aktualisht mbi 600 persona me sëmundjen e talasemisë, shumica fëmijë e të rinj në zonat Lushnje - Fier, Kavajë - Durrës, kryesisht banorë të ultësirës perëndimore, bregdetare e kënetore të Shqipërisë.
Ata trashëgojnë këtë sëmundje shekullore të harruar në Europë, por që këtu vazhdon të marrë jetën e qindra fëmijëve shqiptarë.