Banka Qendrore mban interesat bankarë në gati zero për dy vjetët e ardhshëm

  • Zëri Amerikës

Banka Qendrore mban interesat bankarë në gati zero për dy vjetët e ardhshëm

Banka Qendrore ofroi dje një parashikim të zymtë të ekonomisë amerikane, duke lënë të kuptohej se ajo mund të vazhdojë të jetë e dobët edhe për dy vjet të tjerë. Si rezultat, Banka Qendrore vedosi t’i mbajë interesat bankarë në nivele të ulëta rekord. Vendimi u mor pas një prej ditëve më të rënda në tregun amerikan të aksioneve në Wall Street.

Një ditë pasi indeksi Dow Jones Industrial humbi më shumë se 600 pikë, investitorët, morën një ndihmë fare të vogël nga Rezerva Federale.

Pas takimit Banka Qendrore bëri një deklaratë të shkurtër, në të cilën thuhej se zhvillimi i ekonomisë amerikane ka qënë shumë më i ulët se parashikimi, madje u zotua t’i mbajë interesat në gati zero, ndoshta deri në vitin 2013.

Mungesa e hollësive u pasua me një aktivitet të çekuilibruar në tregun e aksioneve të Nju Jorkut.

Jason Weisberg i kompanisë Seaport Securities, thotë se fatmirësisht investitorët ishin shumë aktivë.

"Disa që i kishte zënë paniku e panë rritjen e aksioneve si një mundësi për të shitur për të pakësuar sa më shumë humbjet që mund të ndodhin në të ardhmen.”

Fillimisht çmimet e aksioneve ranë pas deklaratës së Bankës, por u ngritën më pas dhe dita u mbull me një ngritje prej 430 pikësh për indeksin Dow Jones. Megjithatë disa investitorë thonë se ngritja e vlerës së aksioneve nuk ka të ngjarë të zgjasë.

Alan Valdez i firmës DME Securities thotë se përveç borxhit të Amerikës dhe uljes së klasifikimit të kreditit për qeverinë amerikane, dobësia ekonomike shtrihet përtej Shteteve të Bashkuara.

"Në përgjithësi, ne kemi shumë probleme veçanërisht në Evropë. Evropa është numër 1 për ne, shumë më tepër se sa ulja e klasifikimit nga agjencia S & P, sepse nëse Italia dhe Spanja nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet e tyre financiare, kjo përbën problem të madhe sepse këto dy vende janë shumë të mëdha për të dështuar".

Analisti John Hennes thotë se problemet e borxheve në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë e vënë theksin te një ngadalsim i përgjithshëm i ekonomisë globale. Edhe me mjetet monetare që disponon, ekziston një kufi se sa mund të bëjnë Rezerva Federale dhe Departamenti i Thesarit.

“Në se qeveria nuk e stimulon më tej ekonominë, atëhere ç’mund të ndodhë? Dhe në se shkurtohen shpenzimet qeveritare dhe borxhi fillon ulet, ajo që do të rezultojë është ose një rritje tepër e vogël ose në recesion i ri.”

Shqetësimet rreth një recesioni tjetër shtrihen përtej Wall Street-it deri në Kinë dhe Evropë. Por në rrugët e New Yorkut, shumë njerëz fajësojnë udhëheqësit politikë të Amerikës.

"Nuk ka udhëheqje. Mendoj se udhëheqësit në Kongres, dega ekzekutive nuk po përqëndrohen në atë që është shumë e rëndësishme, kujdesja për popullin amerikan. Dhe në aspektin global, lidhjet që janë krijuar e bëjnë situatën të pashembullt dhe nuk jam i sigurtë nëse ndonjë njeri di si ta kthejë situatën".

Analistët shqetësohen se mungesa e besimit te konsumatorët mund ta përkeqsojë gjendjen në botë, ashtu siç tregojnë statistikat e reja për ngritjen e inflacionit në Kinë dhe frika se një vend tjetër evropian mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet.