Forcat e sigurimit në Bahrein hapën zjarr kundër aktivistëve të opozitës, që merrnin pjesë në ceremoninë e varimit të një personi, që u vra si pasojë e fushatës shtypëse të protestave për reforma. Edhe një demonstrues tjetër humbi jetën.
Dëshmitarët thanë se aktivisti i dytë u vra sot, ndërkohë që grupi më i madh shiit i vendit dënoi dhunën dhe njoftoi se nuk do të marrë pjesë në parlament.
Grupi parlamentar Al-Wefaq paralajmëroi se mund të ndërmarrë hapa të tjera nëse vazhdon dhuna kundër demonstruesve të opozitës. Ky grup mban 18 vende në parlamentin e Bahreinit me 40 anëtarë.
Ndërkohë, Associated Press njofton se mijëra demonstues u mblodhën në sheshin kryesor të kryeqytetit Manama, për ditën e dytë të protestave.