Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të premten se vendi i tij do t’u dhurojë vendeve të Ballkanit Perëndimor 1 milionë doza të vaksinës kundër COVID -19.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai e bëri këtë zotim pas një konference me përfaqësuesit e vendeve të rajonit që aspirojnë integrimet evropiane, me të cilët ka diskutuar reformat që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, luftën kundër migrimit të paligjshëm dhe luftën kundër pandemisë së COVID-19.
“Si Republikë e Austrisë duam të japim një ndihmesë duke dhuruar një milion doza të vaksinës”, tha kancelari austriak, duke theksuar se dozat e vaksinave do të ndahen në periudhën nga gushti deri në fund të vitit.
Kancelari Kurz tha po ashtu se vendi i tij mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe reformat në rajon. Ai tha se Evropa s’mund të jetë e plotë pa përfshirjen e vendeve të këtij rajoni.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha se nga vendet e rajonit vetëm dy janë duke negociuar anëtarësimin, por nuk kanë shënuar përparim në dy vitet e fundit duke ju referuar Serbisë dhe Malit të Zi. Dy të tjera tha ai, janë duke pritur të hapin negociatat, (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut), ndërsa dy të tjera, (Kosova dhe Bosnja) shpresojnë të marrin statusin e vendit kandidat që të jenë në gjendje të fillojnë negociatat.
“Kosova ka mbetur pa liberalizimin e vizave dhe kjo qartazi tregon se nuk po bëjmë sa duhet”, tha zoti Lajcak, duke nënvizuar se është me rëndësi që të ketë dialog qoftë kur flitet për atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, brenda vendeve të Ballkanit dhe ndërmjet BE-së dhe rajonit.
Të martën zoti Lajcak ndërmjetësoi takimin e parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por pa ndonjë përparim. Ai tha se është me rëndësi që të dy udhëheqësit biseduan për disa orë dhe u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm. Zoti Lajçak tha se zoti Kurti është i ri në bisedimet që filluan në vitin 2011 dhe tani sjell pikëpamjet dhe idetë e tij në proces.
Lexoni edhe këtë Kosova dhe Serbia rifillojnë bisedimet - asnjë përparim“Me rëndësi është se ai ka një mandat të fuqishëm politik, është zgjedhur me shumicë të fuqishme votash që i jep pozicion dhe autoritet që të negociojë”, tha zoti Lajçak, duke nënvizuar se bisedimet nuk kanë alternativë sikurse edhe normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se cilësia e atyre marrëdhënieve është me rëndësi për tërë rajonin dhe ose do ta mbajnë atë në vendnumërim ose do të ndihmojnë të përparojë drejt integrimeve.
Javën që vjen Bashkimi Evropian do të diskutojë për hapat e mëtejmë në procesin e integrimit të vendeve të rajonit.