Kurz: Austria mbështet çfarëdo marrëveshje Kosovë-Serbi

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të martën në Prishtinë se vendi i tij mbështetë çfarëdo marrëveshje të paqes qoftë edhe ndryshimin e kufijve në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, në një konferencë për gazetarë bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kancelari Kurz tha se vetëm një marrëveshje paqeje mes dy vendeve do të mund t’i hapte rrugë anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Qeveria e Austrisë pajtohet me çfarëdo marrëveshje e cila arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pra ne jemi të bindur që nëse ia dalin të kenë marrëveshje, askush nuk do të jetë kundër saj edhe nëse është korrigjim i kufijve dhe shkëmbim i territoreve, ajo do të mbështetet nga ne”, tha zoti Kurz.

Kancelari Kurz tha se nuk do të ketë qëndrueshmëri dhe ardhmëri evropiane në rajon pa një marrëveshje paqeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Do të dëshiroja t’u them qytetarëve të Kosovës që të mbështesin dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj që një arritje e suksesshme nga ky dialog është bazë për perspektivën tuaj evropiane por edhe mundësi për të jetuar së bashku në paqe dhe qëndrueshmëri këtu në rajon”, tha zoti Kurz.

Kancdelari austriak, qëndroi në Prishtinë një ditë pas vizitës në Serbi ku u bëri thirrje udhëheqësve serb të angazhohen për një marrëveshje me Kosovën, pasi që siç tha, Serbia nuk do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa gjetur një zgjidhje me Kosovën dhe kjo sipas tij është kushti kryesor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që e kundërshtuan sikurse Gjermania, që ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ai tha sot ndërkaq se Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë që përfshinë normalizimin e marrëdhënieve, njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Një gjë është e qartë pa një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, pa një marrëveshje paqësore dhe pa njohje reciproke as Kosova e as Serbia nuk do të kenë të ardhme të sigurt evropiane prandaj do të punojmë edhe në kohën e mbetur për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me detyrime ligjore ndërkombëtare që nënkupton njohjen reciproke dhe asnjë marrëveshje nuk e ka asnjë kuptim pa ndodh njohja reciproke dhe anëtarësimi në OKB”,tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili edhe ndërmjetëson bisedimet. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe tash për tash nuk ka asnjë lëvizje nga Brukseli.

Të dy presidentët pohojnë se janë larg ndonjë marrëveshjeje dhe nuk kanë pranuar të thonë nëse tashmë kanë hedhur në letër idetë që një pjesë e veriut të Kosovës, të shkëmbehet me një pjesë të luginës së Preshevës.