Agjencia qeveritare amerikane e ngarkuar me detyrën e transmetimit të lajmeve objective në Kubë realizon “gazetari të dobët” dhe “propagandë të paefektshme,” thuhet në raportin e dalë të martën, pas një procesi të pavarur hetimor. [[ https://www.usagm.gov/wp-content/uploads/2019/05/Embarking-on-OCB-Reform-English.pdf ]]
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), e cila mbikqyr tranmetimet globale të financuara nga qeveria amerikane, urdhëroi në shkurt hapjen e auditimit të Zyrës së Transmetimeve për Kubën (OCM) në përgjigje të një emisioni vjet ku u bënë komente anti-semite në adresë të filantropit miliarder, George Soros.
Komentet e bëra gjatë një emisioni televiziv të Zyrës së Transmetimeve për Kubën (OCB) u pasuan me kritika të forta dhe çuan në marrjen e masave ndëshkimore kundër nëntë gazetarëve në këtë redaksi.
John Lansing, shefi ekzekutiv i USAGM, më pas i kërkoi ndjesë zotit Soros dhe urdhëroi hapjen e hetimeve për të zbuluar nëse në OCB “ka praktika të gazetarisë jo-etike, jo-profesionale, tendencioze dhe jashtë standardeve”.
[[https://www.usagm.gov/2019/05/21/embarking-on-reform-of-the-office-of-cuba-broadcasting/ ]]
Rezultatet e dala nga procesi janë një kritikë e ashpër e praktikave në OCB, e cila bën pjesë në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) dhe kërkohet me ligj të ofrojë programe objektive, të balancuara dhe ku pasqyrohen pikëpamje të ndryshme.
Pesë ekspertët e komisionit të auditimit thanë se OCB praktikon gazetari të njëanshme, pa dhënë kontekst për lajmin, duke marra trajtat e një grupi lobues për kauzat e dissidentëve koservatorë kubanë të krahut të ashpër.
“Nuk është vetëm aktivizëm, por në fakt i përngjet propagandës së vjetër të goditjeve të përsëritura,” thotë drejtuesi i grupit të auditimit, Edward Schumacher-Matos, professor në Shkollën Fletcher, Fakulteti i Juridikut dhe Diplomacisë në Universitetin Tufts.
Sipas analizës, “thuajse çdo lloj kritike” ndaj qeverisë kubane është e lejueshme në redaksinë e Radio/TV Marti (siç njihet ndryshe Zyra e Transmetimeve për Kubën), dhe bëhen “fare pak ose aspak përpjekje për të marrë reagim dhe për të ofruar gazetari të balancuar”.
“Normat e qarta të gazetarisë objektive nuk përfillen rëndom në favor të taktikave propagandistike,” thotë grupi hetimor. Programet e agjencisë “nuk ka gjasa të arrijnë sukses për të nxitur demokracinë dhe lirinë, duke marrë parasysh kushtet demografike, kulturore dhe rrethanore të Kubës sot”.
Aktivizmi i pandërprerë kundër qeverisë kubane “nuk lë vend për gazetari informative apo gazetari me pikësynim që mund të jetë më efektive, për shembull përmes rrëfimit të historive pozitive të Shtetet e Bashkuara,” thotë Roberto Suro, anëtar i ekipit të auditimit dhe analist me Qendrën Hispanike Pew.
Në komentet në hyrje të raportit, zoti Lansing tha se është emëruar një grup pune për të analizuar dhe përmirësuar standarded gazetareske dhe do të emërohet një redaktor që do të mbikqyrë zbatimin e praktikave më të mira. “Të gjithë punonjësit e OCB do të kërkohen të kalojnë nëpër kualifikime e trajnime të mëtejshme për gazetarinë e balancuar, objektive, të drejtë e të pa-anshme,” shkruan zoti Lansing.
Një histori me probleme
Zyra e Transmetimeve për Kubën (OCB) me seli në Majami, mbikqyr transmetimet e Radio Marti, që filluan në 1985; transmetimet e TV Marti që filluan pesë vjet më pas, si dhe informacionin përmes faqes së internetit. Kjo agjenci kishte në 2018 një buxhet prej 29 milionë dollarësh. Transmetimet e saj që shpesh bllokohen nga zhurmues të qeverisë kubane, mund të ndiqen nga afërsisht 11% e popullatës së Kubës.
Radio dhe TV Martí edhe në të kaluarën janë kritikuar për gazetari të dobët dhe propagandë. Në 1999, inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit tha se OCB kishte probleme të mungesës së “balancës, objektivitetit dhe informacionit të drejtë”. Një hetim i Senatit amerikan në 2010 arriti në përfundimin se kjo agjenci “gëzonte një mbështetje fare të vogël mes audiencës kubane”.
Pavarësisht nga kritikat, Radio dhe TV Marti ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga Kongresi amerikan. Por kjo nuk do të vazhdojë nëse nuk ka përmirësime, tha Tomás Regalado, ish-kryebashkiak i Majamit, i cili drejton agjencinë OCB.
Zoti Regalado u emërua nga administrata Trump dhe mori detyrën në qershor 2018, një muaj pasi u transmetuan materialet ku kritikohej miliarderi George Soros. “Më tha një anëtar i Kongresit ‘Nëse Radio dhe TV Marti nuk gjejnë mënyra reformimi, do të jetë e pamundur t’u dalim në mbrojtje’,” tha zoti Regalado.
Agjencia USAGM, e cila mbiqyr Zyrën e Transmetimeve për Kubën, ka gjithashtu nën mbikqyrje agjencinë federale, Zëri i Amerikës, si dhe tre grupe mediatike që operojnë si organizata jofitimprurëse: Radio Evropa e Lirë/Radio Liria; Radio Azia e Lirë si dhe Rrjetin e Transmetimeve për Lindjen e Mesme, të cilat marrin grante nga USAGM.
Propagandë e hapur
Autorët e raportit pohojnë se në të gjitha organizatat e drejtuara nga USAGM ekziston një “tension i brendshëm” nga vetë financimi i këtyre agjencive nga qeveria amerikane. Por ata shtojnë se ky tension nuk është askund më i akut sa në Radio dhe TV Marti.
“Martí bën haptazi propagandë dhe promovon politikën e jashtme të administratës aktuale, në këtë rast të politikës ndaj Kubës (si dhe Venezuelës dhe Nikaraguas,” thuhet në raport.
Procesi hetimor citon një numër shembujsh kur Radio dhe TV Marti kishin shkelur standardet gazetareske, ndër të cilat:
* Prezantuesit dhe të ftuarit në programet e Radio dhe TV Marti janë aq “anti-Kastro saqë shpesh flasin fare pa filtër”. Në një program, një disident që kishte qenë i burgosur për 16 vjet në Kubë, e cilëson qeverinë Kastro “një kancer”.
* Një program 30-minutësh mbi vendimin e administratës Trump që u lejon ish-pronarëve të shpronësuar nga qeveria kubane të ngrenë padi në gjykatat amerikane. Programi nuk përfshinte asnjë shpjegim përse kjo praktikë është shmangur nga administratat e mëparshme dhe si mund të ndikonte negativisht tek një qeveri e ardhshme demokratike në Kubë.
* Megjithëse lajmet e OCB nuk kishin shumë gabime faktike, ato nuk kishin kontekst shpjegues në shumë raste. “Të ftuarit dhe prezantuesit shpesh u referoheshin ngjarjeve të viteve 1960 pa dhënë shpjegime për dëgjuesit që nuk janë në dieni të fakteve mbi fazat e para të revolucionit kuban”.
Një praktikë e destinuar për dështim
Radio dhe TV Marti, përmes “emisioneve të njëanshme dhe stilit agresiv të prezantuesve” që merren me historitë e Luftës së Ftohtë, thonë autorët e raportit “nuk janë të përshtatshëm për Kubën e ditëve tona ku 40% e popullsisë ka lindur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik”.
Zoti Regalado tha se njëashmëria në punën e OCB nuk është rezultat i presionit të drejtëpërdrejtë politik apo ndërhyrjeve nga zyrtarë qeveritarë, por më tepër rezultat i kulturës së punës në këtë institucion.
“Këta njerëz nisen nga qëllime të mira, duan më të mirën për Kubën, por gjithashtu mbajnë brenda vetes shumë mllef dhe mëri,” tha zoti Schumacher-Matos.
Sipas raportit, gjatë viteve të fundit qeveria kubane ka lehtësuar bllokimin e transmetimeve dhe më shumë kubanë kanë tani qasje në internet; po ashtu është shtuar ndikimi i kishës dhe ka pasur rritje edhe në aktivitetin tregtar.
Raporti rekomandon gazetarinë e balancuar si dhe mbulimin neutral të zhvillimeve pa ngjyrime politike në Kubë, si për shembull uraganet dhe evakuimin e popullatës.
Zoti Regalado tha se Radio Martí kishte hapur kohët e fundit një program mbi të drejtat e homoseksualëve.
Masa disiplinore
Kritikat lidhur me programin ku sulmohej zoti Soros, që u transmetua në maj 2018, dolën publikisht disa muaj më pas pasi u komentuan nga një bloger dhe komentet u pasqyruan më pas në median amerikane. Në program, në mes të tjerash zoti Soros përshkruhej si “një hebre që nuk beson në Zot, i cili njihet për moral të lëkundur”.
Zoti Regalado tha se nëntë punonjës të Radio dhe TV Marti janë pushuar, kanë dhënë dorëheqjen ose janë pezulluar në pritje të rezultatit të hetimeve.
Kur filloi procesi hetimor në shkurt, zoti Lansing e kritikoi programin ku sulmohej zoti Soros duke e cilësuar si “tepër ofendues dhe krejtësisht jashtë standardeve profesionale e etike. OCB nuk duhet ta kishte transmetuar”.
Përveç Schumacher-Matos dhe Suro, në panelin hetimor ishin edhe Laura Castañeda e Fakultetit Annenberg të Gazetarisë në Universitetin e Kalifornisë së Jugut; ish-gazetarja e kanalit Telemundo Andrea Sarralde dhe Maria Fernanda Sandoval, specialiste latino-amerikane.
Matt Walsh, zëvendës drejtor i USAGM për operacionet, tha në një intervistë se nuk do të jetë e lehtë të ndryshohet kultura e punës në OCB dhe se procesi do të kërkojë kohë.
Gjatë vitit të fundit USAGM është ndeshur me shkelje të tjera të rënda të etikës gazetareske.
Në tetor, 15 gazetarë të Shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën hausa u pushuan ose u ndëshkuan me masa disiplinore për marrje rryshfetesh nga një zyrtar nigerian. Ndërkaq, shefja e Shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën kineze u pushua pasi lejoi një miliarder kinez në mërgim të bënte akuza të pabaza kundër zyrtarëve në Pekin gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive.