Ashton: BE, e përkushtuar ndaj dialogut Kosovë-Serbi

  • Keida Kostreci
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton tha të premten se përparimi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, është i rëndësishëm për popujt e dy vendeve, për qendrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe për të ardhmen evropiane të rajonit. Marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, ishin një nga temat që trajtoi zonja Ashton në një fjalim që mund të jetë i fundit që ajo jep para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në cilësinë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE-së. Kolegia Keida Kostreci njofton:

Që nga fillimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, zonja Ashton ka mbajtur 22 takime me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Takimi i fundit ishte para dy ditësh. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së tha se marrëveshja e parë për parimet e procesit të normalizimit të marrëdhënieve, në prill të vitit të kaluar ishte një pikë kthese për të dyja palët.

“Pjesë e zbatimit të saj ishte mbajtja me sukses e zgjedhjeve lokale në gjithë Kosovën, përfshirë për herë të parë edhe në Veriun e Kosovës, si edhe integrimin e të gjitha strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në kornizën ligjore të Kosovës”.

Zonja Ashton shtoi se falë këtij përparimi, Bashkimi Evropian hapi negiociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Kosovën. Ajo tha se në të ardhmen “dialogu do të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e procesit të integrimit në BE për të dyja palët. Ajo përcjell mesazhin e BE-së për Prishtinën dhe Beogradin.

“Është thelbësore që dialogu të vazhdojë, që palët të ruajnë të njëjtin angazhim. Përkushtimi i BE-së dhe i imi personal ndaj këtij procesi mbetet i fuqishëm”.

Ajo tha se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës mund dhe duhet të jetë frymëzim për ndryshime pozitive, për nxitje në pjesë të tjera të Ballkanit, si Bosnja-Hercegovina.