Asambleja Parlamentare e KE-së miraton raportin e Dik Martit për Kosovën

Asambleja Parlamentare e KE-së miraton raportin e Dik Martit për Kosovën

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me vetëm tetë vota kundër, raportin e senatorit zviceran Dick Marty, në të cilin ngrihen pretendime ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e organeve njerëzore. Asambleja nuk morri parasysh një numër të madh amendamentesh të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë, ndërsa është miratuar ndryshimi i titullit që u shndërrua në “Hetimet lidhur me dyshimet për trajtimin johuman dhe trafikim organesh”.

http://www.youtube.com/embed/W9wNgWSQJzs

Në rezolutë është kërkuar hetimi i pretendimeve të ngritura në raportin e zotit Marty i cili në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mbrojti raportin, ndërsa vuri theksin në reagimet që ka nxitur raporti duke theksuar se “ai nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit shqiptar”, por, sipas tij ka të bëjë me “të drejtat e njeriut”.

"Viktimat ishin serbë, viktimat ishin shqiptarë nga Kosova, që konsideroheshin si tradhtarë ose anëtarë të grupeve rivale. Për ne, ata janë vetëm dhe mbi të gjitha, qenie njerëzore. Është e rrallë të gjesh, në një periudhë kaq të gjatë kohore, një sasi kaq të dënueshme rrethanash, pa u ndërmarrë asnjë hap. Dhe për ata që hidhen nga karriget e tyre duke brohoritur: prova, prova, prova, do të doja t’i pyesja pse nuk brohoritën atëherë kur këto raporte u publikuan disa vite më parë”, tha zoti Marty duke kritikuar, siç tha heshtjen e zyrtarëve të lartë nëpër botë të cilët kishin informacione për atë çfarë kishte ndodhur.

Pse nuk kërkuan shpjegime nga autoritetet vendore, të cilat kishin përgjegjësi të mëdha në rajon? Pse njerëzit parapëlqyen heshtjen? Pse njerëzit parapëlqyen oportunizmin politik kundruall drejtësisë dhe vlerave, për të cilat flasin me kaq entuziazëm”, tha zoti Marty, sipas të cilit emrat e atyre ndaj të cilëve ngrihen pretendime, janë “emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”.

Zoti Marty tha se ka “dëshmitarë besueshëm dhe dëshmitë e tyre janë të qëndrueshme gjë që po i frikëson disa qarqe të caktuara”. Sipas zotit Marty, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendase apo asaj ndërkombëtare”. Ai ngriti edhe çështjen e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të jetë po ashtu nesër do të jetë temë diskutimi e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nuk ka pasur ndonjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët vendas apo ndërkombëtarë në Prishtinë pas seancës së sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndërkaq, të dërguarit e Kosovës në Strasburg, thanë pas seancës se miratimi i raportit në formë të rezolutës është një hap që dëmton Kosovën.

Në reagime e deritashme rreth këtij raporti zyrtarë të EULEX-it kanë përsëritur se janë vënë në përpjekje për të filluar hetime rreth kësaj çështjeje ndërsa i kanë bërë thirrje zotit Marty që të ofrojë të gjitha dëshmitë që mund të ketë për këtë çështje.

Edhe vet kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi,ka kërkuar edhe zyrtarisht hapjen e hetimeve për të gjitha pretendimet e ngritura në raportin e zotit Marty duke garantuar siç thuhet bashkëpunim e plotë të institucioneve të Kosovës.

Zoti Marty, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore. Sot përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë dorëzuar në Këshillin e Evropës një peticion kundër këtij raporti, ndërsa grupe mërgimtarësh kanë protestuar para selisë së Këshillit të Evropës.

Raporti i zotit Marty pati jehonë të madhe në mediet botërore. Ditëve të fundit disa syresh, siç është e përditshmja britanike “The Guardian”, duke iu referuar raporteve të shërbimeve të zbulimit të forcave paqeruajtëse, kanë akuzuar njërin nga zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti për përfshirje në një numër veprash kriminale, ndërsa kryeministrin Thaçi, e kanë cilësuar siç thuhet, si “peshkun e madh” të krimit të organizuar në Kosovë.

Zoti Haliti i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se të njëjtat pretendime janë ngritur nga shërbimet e fshehta serbe. Zyrtarë të zyrtarët e KFOR-it thanë se po hetojnë burimin e dokumentit të fshehtë të përmendur në media dhe se, nuk mund të komentojnë pohimet e ngritura prej tyre.