32 vjet nga incidenti i Three Mile Island në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara

  • Carolyn Presutti

32 vjet nga incidenti i Three Mile Island në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara

Si sot 32 vjet më parë Shtetet e Bashkuara përjetuan aksidentin më të rëndë bërthamor në historinë e tyre. Në 28 mars të vitit 1979, reaktori Three Mile Island në Pensilvaninë qendrore thuajse shkriu krejtësisht. Ndonëse kjo ngjarje nuk i afrohet aspak tregjedisë së Çernobilit në Ukrainë, apo Fukushimës në Japoni, ajo shkaktoi një ndërprerje 30 vjeçare në ecurinë e Shteteve të Bashkuara në fushën bërthamore dhe solli rishikimin e politikave të impianteve bërthamore në mbarë vendin.

Mbrapa kodrave të Midelltaunit në Pensilvani, një pamje e zymtë shtrihet përmes mjegullës së dendur. 4 kulla për ftohjen bërthamore...dhe një reaktor që shkaktoi aksidentin më të rëndë bërthamor në Shtetet e Bashkuara. Reaktori 2 në Three Mile Island.

Rosalie Taylor jetonte me dy djemtë e saj në Midelton kur mësoi se mund të kishte rrjedhje radioaktive nga centrali bërthamor. Zyrtarët e sigurisë u thanë banorëve që të rrinin brënda.

“Qëndronim në shtëpi me dyer e dritare të mbyllura, duke menduar nëse do të kishte apo jo rrjedhje radioaktive”.

Fillimisht, guvernatori i atëhershëmn, Dik Thornburg tha “jo”.

Por të nesërmen , ai rekomandoi evakuimin e grave shtatëzëna dhe fëmijëve të vegjël. 32 vjet më vonë ai thotë:

Dick Thornburg

“Ne nuk donim që të ndërrmernim një evakuim të panevojshëm dhe vazhdimisht vlerësonim informacionin për të parë nëse kjo ishte e domosdoshme”.

Më shumë se 120 mijë njerëz u evakuan.

“Është një ndjenjë e çuditshme të mos dish nëse do të kthehesh në shtëpinë tënde ose jo. Mora pak gjëra që ishin të rëndësishme për mua. Dy albume me fotografitë e djemve dhe çertifikatat e tyre të lindjes”.

Dentisti Sam Selcher ende punon në të njëjtën zyrë që punonte në vitin 1979. Në vend që të largohej, ai qëndroi për t’u marrë me raste emergjencash.

“Të gjithë punonjësit e mi jetonin më pak se 8 km nga Three Mile Island. U thashë që të mbanin aparatin e regjistrimit të radioaktivitetit gjatë gjithë kohës kudo që shkonin”.

Pajisja nuk tregoi shenja radioaktiviteti.

4 ditë mbas aksidentit, presidenti Jimmy Carter mbërriti në vendngjarje.

“Mendoj se njerëzit thanë: “nëse kjo zonë është e sigurt për presidentin dhe guvernatorin, duhet të jetë mjaft e sigurt për të gjithë”.

Dy ditë më vonë, incidenti përfundoi. Strukturat kontrolluese funksionuan. Shumica e radioaktivitetit nuk u përhap. Vite më vonë, shkencëtarët arritën në përfundimin se një valvul e bllokuar shkaktoi tharjen e ujit ftohës nga bërthama e reaktorit. Ralf de Santis punon në kompaninë energjitike që menaxhon Three Mile Island.

Ralph de Santis
“Pas rrjedhjes së ujit, rreth gjysma e bërthamës së reaktorit mbetej e pambuluar dhe aty ekzistonte rreziku i rrjedhjës së pjesshme radioaktive”.

Hetuesit fajësuan për aksidentin mosfunksionimin e pajisjeve, gabimin njerëzor dhe mungesën e trainimit. Nisur nga ngjarja e Three Mile Island, çdo central bërthamor në Shtete e Bashkuara duhet të ketë një dhomë si kjo, imitim i dhomës së kontrollit, një kopje ekzakte e elementit qendror më të rëndësishëm të centralit.

“Kjo është një dhomë kontrolli ku përgatiten operatorët tanë trainohen një javë çdo gjashtë javë”.

Imituesit janë të pajisur me panele, me ngjyra të ndryshme sipas prioritetit, kështu që operatorët dinë se kujt alarmi duhet t’i përgjigjen më parë, ndryshe nga viti 1979, ku 400 sinjale të ndryshme nisën të ndizeshin, duke çorientuar operatorët. Tony Pietrangelo punon në Institutin e Energjisë Bërthamore.

“Si rezultat i Three Mile Island, të gjithë ne kuptuam se duhet të përmirësonim përgatitjen e operatorëve, dhe aftësinë për kundërpërgjigje në raste emergjencash”.

Three Mile Island bllokoi përkohësisht zhvillimin e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara. U deshën 30 vjet përpara se komisioni Rregullator Bërthamor i Shteteve të Bashkuara të merrte në shqyrtim një aplikim për një central të ri bërthamor. Reaktori 2 në Three Mile Island u fik përgjithmonë, ndërsa reaktori 1 dhe kulla ftohëse e tij vazhdojnë të punojnë.