18 të vdekur nga temperaturat e ulëta dhe bora e rëndë në Evropën veriore

  • Zëri Amerikës

18 të vdekur nga temperaturat e ulëta dhe bora e rëndë në Evropën veriore

Temperaturat e ulëta dhe bora e rëndë u ka marrë jetën 18 vetëve dhe ka mbyllur disa aeroporte dhe rrugë në Evropën veriore, ndërsa shirat kanë vërshuar në pjesë të Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Ministri i Brendshëm i Polonisë tha sot se 18 njerëz kishin vdekur gjatë dy ditëve të fundit për shkak të motit të keq. Një numër fluturimesh nga dhe për në Varshavë u anuluan dhe mijëra banorë mbetën pa energji elektrike.

Bora e rëndë shkaktoi mbylljen e aeroportit ndërkombëtar në kryeqytetin çek Pragë, ndërsa mijëra udhëtarë ngelën në Gjermani dhe u detyruan të kalojnë natën në trena.

Aeroporti Gatwick i Londrës, i dyti më i madhi në Britani, qëndroi mbyllur për të dytën ditë, me ç’rast u anuluan rreth 600 fluturime. Ndërkaq, në aerportin Charles de Gaulle të Parisit nuk u realizuan rreth një e katërta e fluturimeve. Në Frankfurt, ku ndodhet aeroporti më i ngarkuar i Gjermanisë, u anuluan së paku 40 fluturime sot.

Trafiku rrugor po ashtu u ndërpre në Britani, Gjermani dhe Francë, ndërsa kompania hekurudhore Eurostar ndërpreu disa udhëtime me tren mes Parisit dhe Londrës për shkak të të ftohtit dhe dëborës.

Përmbytjet në Shqipëri detyruan evakuimin e rreth 1 mijë personave, ndërsa autoritetet serbe shpallën gjendje emergjente për shkak të vërshimeve të lumit Drin, që janë më të rëndat që prej një shekulli. Në Bosnjë, qindra banorë u evakuuan nga fshatrat që kishin mbetur pa energji elektrike dhe që kërcënoheshin nga rritja e nivelit të ujërave.