Përfaqësuesit serbë diskutojnë për zhbllokimin e rrugëve në veri

Përfaqësuesit serbë diskutojnë për zhbllokimin e rrugëve në veri

Përfaqësuesit politikë të serbëve janë mbledhur sot për të diskutuar rreth barrikadave në rrugët veriore pas paralajmërimeve të NATO-s se do t’i largojë vetë ato nëse këtë nuk e bëjnë qytetarët serbë.

Që nga 25 korriku i këtij viti, serbët po mbajnë të bllokuara rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganiereve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Forcat paqeruajtëse kanë bërë thirrje për heqjen e barrikadave në funksion të vendosjes së lirisë së lëvizjes në zonë dhe për të mundësuar furnizimin e trupave që kontrollojnë vendkalimet e diskutueshme.

Ndonëse dita e djeshme ishte përcaktuar si afat për zhbllokimin e rrugëve, protestuesit serbë u mblodhën në afërsi të barrikadave për të kundërshtuar largimin e tyre. Përfaqësuesit e serbëve i kanë kërkuar KFOR-it që të presë deri sot kur ata do të diskutojnë tejkalimin e situatës.

Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drews është shprehur siç ka thënë i zhgënjyer me faktin se qytetarët në veri nuk e kaluan provën një ditë më parë. Që nga 16 shtatori, forcat e NATO-s kanë dërguar me helikopterë doganieret e EULEX-it dhe të Kosovës në vendkalimet kufitare, ndërsa edhe furnizimet e ushtarëve janë bërë në rrugë të njëjtë.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veri kanë lënë të hapur mundësinë që të arrihet një kompromis për të lejuar lëvizjen e lirë të KFOR-it, por nuk pajtohen që nëpër të njëjtat rrugë të lëvizin edhe doganierët dhe policia kufitare e Kosovës, vendosjen e të cilëve në kufi e cilësojnë si shtrirje te shtrirje të shtetit të Kosovës që ata nuk e njohin.