Një statujë e lartë në panairin ndërkombëtar të Dubait ka tërhequr vëmendje, ashtu si origjinali i saj mbi 500 vjet më parë. Një replikë tre dimensionale e statujës së Davidit, nga Mikelanxhelo, qëndron e lartë me një vështrim sfidues në pavionin e artit italian. Shumica e vizitorëve mund të shohin vetëm kokën e statujës dhe vetëm disa vizitorëve të veçantë u lejohet ta shohin të gjithë statujën, nga koka tek këmbët.
Davidi origjinal është nudo dhe disa vizitorë mendojnë se ekspozimi i kufizuar i statujës replikë në Panairin 2020 të Dubait është një formë çensure.
Të tjerë thonë se mënyra se si është paraqitur Davidi në panair është një formë shprehjeje artistike.
Vetëm disa vizitorëve u jepet mundësia ta shohin nga koka tek këmbët.
"Nuk është koinçidencë që Davidi nuk shihet i plotë si normalisht, por i mirëpret njerëzit duke i vështruar në fytyrë", thotë David Rampello, drejtor artistik në pavionin italian.
Një historian arti në Romë thotë se përzgjedhja e personave, që mund ta shohin të plotë dhe e atyre që nuk munden, krijon një hierarki.
"Ajo që shohin të pasurit, të mëdhenjtë dhe të virtytshmit, nuk mund të jetë diçka e ndryshme nga ajo që shohin njerëzit e zakonshëm", thotë Profesor Paul Gwynne, nga Universiteti Amerikan i Romës.
Ekipit të ekspertëve italianë iu deshën 40 orë skanime dixhitale për të krijuar replikën. Organizatorët thonë se ajo u printua me disa nga printerat më të mëdhenj 3D të botës.
Artistët përdorën materiale plastike të ricikluara, të përziera me rrëshirë dhe pluhur mermeri.
Në atdheun e tij, Davidi origjinal i vendosur në galerinë e Firences që nga viti 1873, vazhdon të mahnisë vizitorët edhe sot.
Mjeshtëria e Mikelanxhelos dhe pasioni i tij për anatominë njerëzore, që nga muskujt e kontraktuar në barkun e Davidit dhe shtrëngimi në kofshën e tij të djathtë, e bëjnë këtë vepër arti të paharrueshme për ata që e vështrojnë nga poshtë.
Në Dubai këto detaje humbasin.
Davidi qëndron në qendër të një boshti të ngushtë tetëkëndësh, i paraqitur nga mesi e lartë dhe i rrethuar nga replika të kollonave romake. Vizitorët në zonën për publikun mund të shohin pjesë të kraharorit të Davidit nëse zgjaten mbi rrethimin.
Pjesa tjetër e trupit të tij qëndron në një kat tjetër. Organet e tij gjenitale dhe vithet gjenden mes dy kateve, por mund të shikohen nëse vizitori pozicionohet pranë ndarjes mes kateve dhe vështron lart.
Lakuriqësia e Davidit është bërë pjesë e debateve shekullore për artin që tejkalon caqet dhe rregullat e çensurës.
Në vitet 1500, gjethe fiku metalike mbulonin organet gjenitale të statujave si Davidi, në periudhën kur Kisha Katolike e konsideronte lakuriqësinë të papërshtatshme dhe të pahijshme.
Nudizmi ende shkakton përplasje me normat e epokës moderne.
Debati shpërtheu në vitin 2016 kur zyrtarët ngritën panele druri për të mbuluar statujat në muzeumet e Romës, gjatë një vizite të presidentit të atëhershëm iranian Hassan Rouhani.
Kjo i shtyu disa politikanë ta akuzonin qeverinë për një "nënshtrim kulturor", ndërsa kur u pyet për këtë gjest, vetë Rouhani i falenderoi italianët si "njerëz shumë mikpritës".
Në Emiratet e Bashkuara Arabe mund të shihen një numër i vogël veprash arti nudo në muzeun Luvër të Abu Dhabit, megjithëse përgjithësisht ky muze paraqet vepra më tepër konservatore.
Zoti Rampello këmbëngul se mënyra e paraqitjes së Davidit nuk është autoçensurë, apo si rezultat i kërkesës së autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbuluar pjesët e debatueshme të statujës.
"Ideja lindi së bashku me idenë për teatrin e kujtesës dhe ky lloj teatri mund të realizohet këtu, ose në Japoni, Gjermani, Amerikë, apo kudo", thotë ai.
Sidoqoftë, historiani Gwynne dëshiron të theksojë se për ta parë Davidin ashtu siç e projektoi krijuesi, në këtë rast vlen vetëm një gjë.
"Ka të bëjë vetëm me privilegjin, apo jo? ... Bëhet fjalë vetëm për privilegjin, që disa e kanë dhe disa jo", thotë profesori.