Arrestohet mjeku turk i akuzuar për trafikim organesh në Kosovë

Arrestohet mjeku turk i akuzuar për trafikim organesh në Kosovë

Policia turke ka njoftuar për arrestimin e një mjeku turk, i dyshuar se është pjesë e një rrjeti ndërkombëtarë të trafikimit të organeve në Kosovë. Jusuf Somnez 53 vjeçar është arrestuar me kërkesën e autoriteteve të drejtësisë në Kosovë.

Kërkesa për arrestimin e tij është lëshuar nga prokuroria e Kosovës, e cila ka ngritur një akuzë kundër nëntë personave për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mesin e të akuzuarve ka mjekë dhe një person, që më parë ka punuar në nivel të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë. Akuza përfshinë edhe dy persona të tjerë njëri shtetas izraelit dhe mjekun turk që është arestuar në Turqi.

Sipas akuzës, të gjithë këta kanë qenë të përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Prokurori i çështjes, Jonathan Ratel, nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë tha se dhuruesit ishin sjellë në Kosovë nën premtimet e rrejshme.

Akuza për trafikimin e organeve, ka të bëjë me zhvillimet në klinikën private “Medicus” në Prishtinë në vitin 2008. Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në një klinikë private në Prishtinë atë vit kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të asaj klinike si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë.

Hetimet e policisë atë botë kishin zbuluar se një shtetas turk kishte dhuruar një veshkë, e cila ishte pranuar nga një shtetas izraelit. Më pas të arrestuarit ishin liruar, ndërsa hetimet kishin vazhduar nga EULEX-i.

Brenda dhjetë ditësh, gjykata në Prishtinë duhet të vendos nëse do të ketë një proces gjyqësor apo jo. Të gjithë të akuzuarit kanë hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga prokurori i çështjes, ndërsa mbrojtja kërkoi që akuza të hidhet poshtë. Avokatët e të akuzuarit kryesor, Lutfi Dervishi, thanë se po bëhen përpjekje që kjo cështje të ndërlidhet me raportin e të dërgurit të Këshilit të Evropës Dick Marty, i cili muajin e kaluar nxiti zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Clirimtare janë të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore. Ai tha se këto dy cështje nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.