Incidente dhune gjatë armëpushimit në Siri

Disa njerëz humbën jetën nga luftimet në Siri mes forcave qeveritare dhe kryengritësve, megjithë fillimin e armëpushimit me rastin e Kurban Bajramit.

Megjithëse pati njoftime për disa incidente dhune, arpushimi në përgjithësi duket se po respektohet.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi se përleshjet mes forcave qeveritare dhe kryengritësve vazhduan në provincën Idlib edhe pas lutjeve të së premtes, kur të dyja palët kishin rënë dakord për fillimin e armëpushimit të përkohshëm. Aktivistët thanë se të paktën 9 forca të sigurimit dhe 4 kryengritës u vranë gjatë përleshjeve në bazën e ushtrisë Wadi al-Daif.

Aktivistët thanë se 3 veta u vranë nga tanket dhe 2 të tjerë nga zjarri i snajperëve në lagjen Harasta të Damaskut. Edhe tre persona të tjerë u plagosën kur forcat e sigurimit hapën zjarr ndaj protestuesve në provincën jugore të Deraas.

Kur u pyet nëse armëpushimi kishte dështuar, drejtori i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman i tha Zërit të Ameriksë se "jo". Ai shpjegoi se deri në mesditë në Siri, "ishin vrarë 5 njerëz dhe zakonisht në një ditë tjetër deri në mesditë do të ishin vrarë 100 njerëz".

Ndërkohë, Presidenti sirian, Bashir al-Assad u pa në televizion, diçka kjo e rallë, duke biseduar me besimtarët, që merrnin pjesë në lutjet e së premtes me rastin e fillimit të Kurban Bajramit.