Anija e lirisë

Këtu në Shtetet e Bashkuara, Franca njihet si mikja më e vjetër e Amerikës. Është vendi i parë që e njohu Amerikën e pavarur menjëherë pasi ajo shpalli pavarësinë nga Anglia 239 vjet më parë. Kjo lidhje e vjetër gjen mishërim në një relike shekullore. Një anije që erdhi nga Franca në Shtetet e Bashkuara 235 vjet më parë u shndërrua në simbol të miqësisë me dy vendeve. Anija luftarake franceze udhëtoi përmes Atlantikut për të ndihmuar në fitoren kundër britanikëve gjatë Revolucionit Amerikan. Tashmë, një replikë e plotë e anijes së mahnitshme ka përshkuar të njëjtin udhëtim dhe do të vazhdojë përgjatë bregut lindor deri në mesin e muajit korrik.

4 korriku është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën datë të vitit 1776, 13 kolonitë amerikane në luftë me Britaninë e Madhe, krijuan një shtet të ri. Amerikanët mund ta kishin humbur luftën që mbaroi në vitin 1783, nëse luftanija franceze nuk do të kishte kaluar Atlantikun për të ndihmuar trupat e rrethuara amerikane. Një replikë e anijes po kryen të njëjtin udhëtim. Ajo është një fregatë 65 metra e gjatë, e quajtur Hermion, dhe ngjason me anijet luftarake në pikturat e vjetra, me vela të mëdha, me një direk të zbukuruar dhe marinarë që ngjiten në të. Aurore Le Vilain është ndër vullnetarët francezë që përbëjnë ekuipazhin e anijes prej 80 vetash. Asaj iu desh të mposhtë frikën nga lartësitë.

“Është si një lavjerës. Lëviz nga një anë në tjetrën, ndërkohë që duhet të vazhdosh punën.”

Përpara këtij udhëtimi, Alice Bru nuk kishte udhëtuar kurrë në det.

“Kemi mbi 200 litarë dhe secili ka funksionin e tij. Është fizikisht e vështirë, pasi çdo gjë peshon shumë.”

Historia e anijes Hermione fillon me miqësinë ndërmjet George Washington, komandant i ushtrive amerikane dhe më vonë president, dhe Markezit de Lafayette, një aristokrat i ri francez që i ishte bashkuar vullnetarisht ushtrisë. Lafayette u kthye në Francë për të siguruar anije dhe armë në ndihmë të amerikanëve. Ai u rikthye në bordin e anijes Hermion për të ndihmuar në luftën kundër britanikëve.

Vogëlushi Roy Wolf, kujton mësimin e historisë me fyell dhe tamburë.

“Amerikanët patën vështirësi dhe Lafayette erdhi dhe ndihmoi për të fituar luftën.”

Anija replikë u ndërtua për 17 vjet në Francë. Kon Gojnycz u impresionua nga fakti që ndërtuesit përdorën shumë teknika të shekullit të 18-të.

“Topat u derdhën në të njëjtën fabrikë që prodhonte për anijen Hermione dhe marinën franceze në vitet 1770-të.”

Anija është autentike, thotë Bruno Gravellier, mbikqyrës në bord. Por, janë shtuar disa gjëra për të rritur sigurinë e anijes, si p.sh. një motor.

“Aty ku tani kemi dushet dhe tualetet, atëherë mbanin me qindra dele.”

Nuk kanë ndryshuar p.sh. dhomat e ngushta të fjetjes, thotë studenti i historisë, Adam Hodges-LeClair, ndër të paktët amerikanë në bord.

“Ka momente kur njerëzit janë shumë ngjeshur. Të duhet pak hapësirë, por njëkohësisht është mirë të kesh ndihmë kur bën ndonjë manovër.”

Miles Young, president i shoqatës së Miqve të Hermione-Lafayette në Amerikë, shpreson se replika e mahnitshme do të ndihmojë në krijimin e miqësive të tjera francezo-amerikane.

“Ky është një ndër udhëtimet simbolike të lirisë në histori. Feston lindjen e Shteteve të Bashkuara si një komb i lirë dhe i pavarur.”

Ai thotë se “Fregata e Lirisë”, siç është quajtur Hermione, do të vërë në pah rëndësinë e lirisë në mbarë botën.