Analistët e shtypit në Shqipëri mendojnë se problemi kryesor i mediave shqiptare janë vetë pronarët e tyre. Andi Tela, drejtues i gazetës “Panorama”, thotë se pronarët e mediave po investojnë shumë në blerje pajisjesh të reja televizive, por nuk investojnë në shkollimin e gazetarëve me koncepte të reja profesionale; madje kjo quhet një punë e dorës së dytë, mjafton që të kenë pajisje moderne. Sipas zotit Tela, kasetat e gatshme me filmime që shpërndajnë partitë për fushatë duhet të ishin refuzuar nga të gjitha televizionet njëzëri si një shkelje etike, sepse ato janë reklama për kandidatët dhe jo lajme për qytetarët.
“Mediat duhet t’i refuzonin kasetat e partive, por kjo gjë duhej bërë përpara fushatës dhe madje me një nen në Kodin Zgjedhor. Mediat nuk duhet të detyrohen që të marrin kasetat e gatshme nga partitë. Rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të lojës. Bordi i monitorimit dhe KQZ absolutisht nuk duhet të detyrojnë mediat në javën e fundit të fushatës që të pranojnë kasetat e gatshme; ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse ulin cilësinë e raportimit të mediave”, tha zoti Tela.
Ndërsa gazetari i njohur Sami Neza thotë se komuniteti i mediave ishte i përçarë edhe në çështjen e kasetave dhe vendimi për t’i refuzuar ato nuk ishte unanim. Disa televizione i pranuan kasetat e gatshme partiake, thotë ai, dhe kjo e shtyu KQZ në vendimin tjetër të gabuar që t’u kërkojë mediave të pranojë kasetat e partive. Sipas tij, të dyja palët vepruan gabim, sepse asnjë palë - as mediat dhe as KQZ, nuk ka asnjë dobi nga kasetat e gatshme të partive.
“Kjo duhet të shmanget dhe mund të shmanget vetëm nga mediat. Askush tjetër vec mediave nuk është i interesuar për ta shmangur këtë problem. Politikës nuk i intereson nëse media raporton me profesionalizëm apo jo, i zbaton apo jo kodet e veta të etikës dhe të profesionit; aq më pak në një fushatë. Media mund ta bëjë këtë vetëm nëse zbaton rregulloret e saj, kodet e saj profesionale në transmetim, shkrim dhe raportim gazetaresk”, tha zoti Neza.
Lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri, të dy analistët e njohur, Neza dhe Tela, thonë se kjo tashmë është e siguruar me Kushtetutë dhe me numrin e madh të mediave. Zoti Neza thotë se liria e mediave cënohet kryesisht nga pronarët jogazetarë të medias, që e shohin shtypin si një biznes.
“Me futjen e bizneseve me investime në media raporti i gazetarëve me qytetarët dhe me lirinë e informimit ndryshoi. Biznesmenët që investojnë në media kanë mendësinë që media e tyre është një tjetër biznes i tyre. Ata nuk e kanë median një biznes që nxjerr fitime direkte, por si një biznes që, edhe pse del me humbje, mund të nxjerrë fitime për bizneset e tjera të tyre. Këtë e arrin përmes influencave që ushtrohen tek politika dhe institucionet vendimmarrëse, si edhe përmes konfliktit të interesit”, thotë zoti Neza.
Ndërsa drejtuesi i gazetës “Panorama” Andi Tela, thotë se politika ushtron presion në media ashtu si ushtron mbi gjithë institucionet e pavarura; media ka pushtet mbi qytetarët, dhe politika përpiqet që të kontrollojë qytetarin përmes medias. Sipas tij, Shqipëria ka një numër të madh mediash dhe kushdo mund të botojë shkrime në njërën media në mos në tjetrën, por kjo sasi e madhe mediash është në dëm të cilësisë dhe bëhet pre e politikës.
“Rregullat e punës duhen bërë nga gazetarët dhe duhen zbatuar prej tyre. Liria e medias në Shqipëri në kornizën kushtetuese është e qartë; media shqiptare është e lirë, nuk ka nene që të kufizojnë lirinë e saj ashtu si mund të ketë në vende të tjera të botës. Por në këtë çast lindin dyshimet për një abuzim të medias vetë me lirinë e saj”, tha zoti Tela.
Liria e shtypit ka qenë një temë e vazhdueshme debati në Shqipëri, ndonëse komuniteti i medias është i përçarë dhe pa asnjë nismë për vetorganizim. Shkeljet e vazhdueshme etike nxiten shpesh nga vështirësitë financiare të mediave dhe për paradoks, mediat nuk mbrojnë veten dhe njëra tjetrën nga sulmet politike, por tani janë partitë politike ato që shkëmbejnë akuza se po shkelin lirinë e medias.