Analistët flasin për alternativat e zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës

  • Keida Kostreci

Analistët flasin për alternativat e zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës

Ndërsa tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë, analistët po përqendrohen tek shkaqet dhe tek alternativat për zgjidhje. Në të njëjtën kohë ata po sugjerojnë që të mos largohet vëmendja nga perspektiva afatgjatë e rajonit.

Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson thotë se është i shqetësuar nga gjendja e rrezikshme e sigurisë që është krijuar. Ai thotë:

“Por ajo që më shqetëson më shumë është se tregon që gjërat kanë mbetur në vend dhe se kjo situatë do të lërë pas dhe nuk do të lejojë komunitetet në veri që të arrijnë përparim dhe rritje ekonomike. Si rezultat kjo do të bëhet pengesë për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa mendojnë për të ardhmen e tyre në Evropë”.

Zoti Wilson thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, duhet t’ua bëjnë të qartë banorëve të veriut që postblloqet dhe barrikadat nuk çojnë askund dhe se ato janë një rrugë drejt izolimit dhe varfërisë.

Por akademiku serb Jovan Teokareviç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, thotë se ka një arsye më të thellë për situatën në Veri:

“Simbolet në ndërtimin e shteteve janë shumë të rëndësishme dhe në një farë kuptimi, janë më të rëndësishme sesa vetë realiteti. E kemi parë edhe në raste të tjera me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, se nuk është realiteti vetë, por perceptimi i realitetit që mbizotëron. Kjo gjë po ndodh edhe tani”.

Sipas profesor Teokareviçit, i cili foli kohët e fundit në qendrën Wilson këtu në Uashington, është forca e simbolizmit që i shtyn të dyja palët të këmbëngulin në qëndrimet e veta.

“Asnjë zgjidhje nuk do të funksionojë pa vullnetin politik të të dyja palëve (Prishtinës dhe Beogradit) dhe pothuajse çdo zgjidhje do të funksionojë nëse ekziston vullneti”.

Zoti Wilson mendon se zgjidhja për veriun është garantimi i të drejtave maksimale nga ana e Prishtinës për komunitetin serb, duke theksuar njëkohësisht që interesi i Kosovës është integriteti territorial dhe sovraniteti. Por për të siguruar bashkëpunimin e serbëve, ai thotë se duhet uniteti i komunitetit ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, përfshirë vendet që nuk e kanë njohur, ashtu si edhe Serbia vetë duhet të theksojnë pashmangshmërinë e këtij rezultati, të punojnë me komunitetin që të krijojnë besim, t’u bëjnë presion ekonomik dhe të jenë shumë të qartë për përfitimet ekonomike dhe politike të bashkëpunimit”.

Edhe profesor Teokarevic mendon se Beogradi nuk fiton asgjë nëse përpiqet për ndryshim statusi dhe se realiteti në terren është alternativa e vetme.

“Kosova është njohur nga aq shumë shtete, procesi ka ecur aq përpara saqë nuk ka më kthim prapa, kështuqë nuk ka asgjë për t’u ndryshuar në statusin e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur”.

Zoti Wilson thotë se mosnjohja nga pesë vende nuk është bërë pengesë për EULEX-in që të veprojë në terren në Kosovë, por ai shton se gjithsesi është dëmtuese që Bashkimi Evropian nuk flet me një zë.

“Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën mbajnë përgjegjësi që shkaktojnë një çarje dhe minojnë imazhin e vendosmërisë nga ana e Bashkimit Evropian dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës”.

Ky problem si edhe fakti që Evropa tani është e angazhuar me krizën financiare nuk duhet ta zbehë entuziazmin për të ardhmen, thotë zoti Wilson.

“Derisa popujt e Ballkanit Perëndimor ta shohin të gjithë që integrimi është e ardhmja dhe të jenë të përqendruar tek ky objektiv, do të ketë probleme. Kur të jemi gati për të diskutuar për hapin e ardhshëm të integrimit, kjo krizë ku është Evropa do të jetë zgjidhur”.

Por integrimi politik është njëri aspekt i synimit për të ardhmen. Ana tjetër është bagazhi emocional që ende rëndon në rajon. Profesor Teokarevic thotë se zgjidhja e krizës së tanishme në Veri duhet të shikohet si instrument, për të mundësuar zgjidhjen e një çështjeje më madhore: pajtimin mes serbëve dhe shqiptarëve.