Amerikanët reflektojnë për ngjarjen e Arizonës

  • Chris Simkins

Amerikanët reflektojnë për ngjarjen e Arizonës

Personi i akuzuar për plagosjen e ligjvënëses amerikane dhe vrasjen e gjashtë personave në Tusan të shtetit Arizona, doli dje për herë të parë përpara gjykatës. Autoritetet federale ngritën akuza për vrasje kundër 22-vjeçarit Xhared Llofner. Ndërkaq i gjithë vendi mbajti heshtje në kujtim të viktimave të incidentit të së shtunës.

Presidenti dhe zonja Obama mbajtën një minutë heshtje për të nderuar viktimat e incidentit nga i cili u plagos rëndë anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve Gabriel Gifords.

Pak më tej, një skenë tjetër e përzishme: qindra anëtarë të stafit të Kongresit u mblodhën në shkallët e Kapitolit për të shprehur nderim për ligjvënësen e plagosur demokrate dhe viktimat e tjera, mes tyre një ndihmës të zonjës Gifords dhe një gjykatës federal që u vranë.

Për shumë njerëz këtu, ngjarja e Arizonës sjell mjaft kujtime. Antonio Valenzuela u rrit në Tusan por tani punon në Uashington. Ai vendosi lule në një përmendore të thjeshtë të ngritur në Kapitol.

"Kjo është një tragjedi e tmerrshme. Ne na duket e pabesueshme që dikush mund ta bënte këtë sidomos në qytetin tim të lindjes."

Këtë javë, flamurët në selinë e Kongresit dhe në ndërtesa të tjera publike janë ngritur në gjysmë-shtizë për të nderuar viktimat.

Të dyja partive politike u janë bërë thirrje të ulin retorikën dhe të zbutin mosmarrëveshjet politike.

Anëtarja e Kongresit Eleanor Holmes Norton thotë se nga kjo ngjarje duhet të dalë qartë një mesazh për uljen e toneve.

Ndërkohë, dje personi që dyshohet se hapi zjarr Xhared Llofner, doli para gjykatës federale në Finiks. Ai u akuzua për vrasjen e dy punonjësve federalë dhe për tentativë vrasjeje të një anëtareje të Kongresit.

Të shtunën, anëtarja e Kongresit, Gifords po takohej me zgjedhësit kur u godit me plumb në kokë. Mes të vrarëve ishte edhe një vajzë nëntë-vjeçare.

Nuk është e qartë nëse vrasësi u motivua nga retorika antiqeveritare apo nga grupet që nxisin urrejtje.

Në spital, mjekët vazhdojnë të jenë optimistë për fatin e anëtares së Kongresit Gifords. Doktor Majkëll Lëmoll tha se një pjesë e kafkës së saj është hequr për të zbutur ënjtjen që mund të rrisë trysninë mbi trurin.

"Ajo ende nuk është plotësisht jashtë rrezikut. Ënjtja e trurit ndonjëherë kërkon 3 deri 5 ditë të shfaqet por deri tani nuk shikojmë shtim të ënjtjes prandaj jemi diçka më optimistë."

Zonja Gifords kishte votuar në favor të ligjit për kujdesin shëndetësor që u miratua në muajin mars.

Autoritetet federale thonë se zonja Gifords ishte një nga 10 ligjvënës demokratë të Kongresit që janë provokuar nga persona të tjerë për shkak të mbështetjes që i dhanë reformës.

Anëtarja e Kongresit Alison Shuarc nga Pensilvania, ka marrë kërcënime me vdekje dhe një person i dyshuar u arrestua dhe u burgos për këtë arsye.

"Ishte një telefonatë nga dikush i cili kërcënoi se do të na vriste se kishte armë dhe do ta bënte këtë. Ne e morëm seriozisht kërcënimin, po ashtu edhe policia."

Masat e sigurisë rreth ndërtesës së Kongresit janë shtuar dhe po flitet për masa tjera shtesë.

Zyrtarët po përpiqen të shtojnë mbrojtjen për ligjvënësit por pa u hequr atyre mundësinë për t’u takuar lirisht me zgjedhësit, siç po bënte edhe zonja Gifords të shtunën kur u qëllua me armë zjarri.