Ambasada amerikane në Prishtinë: Vrasja në Gjermani nuk dëmton marrëdhëniet

Ambasada amerikane në Prishtinë: Vrasja në Gjermani nuk dëmton marrëdhëniet

Ambasada amerikane falënderon qeverinë dhe presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes.

Ambasada amerikanë në Prishtinë, dënoi sot vrasjen e djeshme në Gjermani ndërsa nënvizoi se ky akt nuk dëmton marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Në një deklaratë për opinion thuhet se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i bashkohet Qeverisë dhe popullit të Kosovës në dënimin e sulmit të djeshëm në Frankfurt-Gjermani, që mori jetën e dy amerikanëve dhe plagosjen e dy të tjerëve. Mendimet tona janë me ata që u plagosën dhe familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që u preken nga kjo tragjedi. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve për këtë humbje”.

Ambasada amerikane falënderon qeverinë dhe presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes. “Ne jemi të vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptare. Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikoje në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të ngushtë të popujve tanë dhe qeverive”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane e cila ka hapur edhe një libër ngushëllimesh në mjediset e saj.

Në Kosovë kanë vazhduar reagimet e institucioneve dhe partive politike rreth ngjarjes së djeshme në Gjermani. Parlamenti i Kosovës filloi seancën e sotme me një minutë heshtje në shenje nderimi për viktimat e sulmit të djeshëm. Kryetari i këtij parlamenti, Jakup Krasniqi, me këtë rast ka shprehur indinjatën e tij të thellë për krimin e shëmtuar të shtetasit të Kosovës ndaj ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.