Qendra CRCA dhe Lidershipi i të Rinjve të Tiranës sapo kanë publikuar një studim kombëtar mbi pjesëmarrjen e të rinjve në politikë dhe në vendim-marrje.
Your browser doesn’t support HTML5
Partitë politike parashikojnë angazhimin e forumeve rinore, por roli i tyre ulet në minimum tek përfshirja e tyre në pozicione vendim-mmarrëse në parti, në institucione qendrore dhe vendore.
Sipas studimit, numri i të rinjve në administratën shtetërore dhe ligjvënëse është ende i vogël; vetëm 7 për qind e deputetëve dhe 8 për qind e kryetarëve bashkiakë janë të rinj.
Kjo vjen sepse partitë politike nuk e kanë ligjëruar të drejtën e përfaqësimit të të rinjve, thotë Altin Hazizaj, veprimtar i shoqërisë civile dhe drejtues i Qendrës CRCA.
Një gjendje e ngjashme është edhe me përfaqësimin e grave dhe vajzave në institucionet vendim-marrëse, ndonëse në zgjedhjet vendore fituan 9 kryetare gra, midis 61 bashkive. Drejtuesja e Aleancës Gjinore për Zhvillim Mirela Arqimandriti thotë se u bënë të gjitha përpjekjet që numri i grave dhe vajzave në këshillat bashkiake dhe në krye të bashkive të shtohej sa më shumë, por nuk u arrit më shumë se 34 për qind e këshilltareve.
Ashtu si për gratë edhe për të rinjtë, pengesë kryesore për rritjen e përfaqësimit në vendim-marrje mbetet varësia financiare ose mungesa e burimeve financiare.
Mungesa e buxheteve elektorale frenon pjesëmarrjen e të rinjve në vendim-marrjen e të rinjve brenda radhëve të partisë dhe kushtëzon ecurinë e karrierës së tyre.
Nga 140 deputetë, vetëm 10 prej tyre janë nën moshën 35 vjeç. Nga 21 ministra vetëm 3 janë të rinj, dhe nga 30 zv.ministra vetëm 6 janë të rinj.
Roli i grave në vendim-marrjen e shoqërisë pritet të jetë më i lartë, thotë zonja Arqimandriti, jo vetëm për shkak të kushtëzimeve ligjore, por edhe prej angazhimit të tyre më të madh në jetën e vendit.
Megjithatë ato shpesh hasin pengesa dhe paragjykime, sipas të cilave gratë shihen vetëm pranë familjes, shkollës dhe shërbimeve të tjera, thotë zonja Arqimandriti.
Studimet mbi pjesëmarrjen e të rinjve dhe grave në politikë dhe vendim-marrje janë të parat që japin një pamje të plotë të pjesëmarrjes të tyre në të gjitha nivelet.
Ana tjetër e medaljes përmban dhunë të shtuar në familje kundër grave dhe fëmijëve, vrasje dhe plagosje të tyre, të cilat tregojnë për nevojën urgjente që ato kanë për t'i ndihmuar jo vetëm në gjykata por edhe për përfshirjen e tyre në institucionet vendim-marrëse.
Shqipëria ka bërë disa hapa pozitive me demokratizimin e jetës politike, por ato nuk janë shoqëruar me nisma ligjore për të mbështetur pjesëmarrjen më të gjerë të grave dhe të rinjve.