Haxhinasto: Shitja e Albpetrolit dështoi

  • Armand Mero
Debate në parlament për garancinë prej 10 % të ofertës prej 850 milion euro të konsorciumit Vetro Energy, të cilën autoritetet nuk kanë mundur ende ta tërheqin

Në Shqipëri ministri I Ekonomisë Edmond Haxhinasto pranoi sot se zyrtarisht privatizimi i Albpetrolit ka dështuar dhe se i është kërkuar qeverisë të anullojë procedurat e shitjes. Zoti Haxhinasto e bëri këtë njoftim gjatë një interpelance në parlament të kërkuar nga nënkryetari i grupit socialist Erion Brace. Zoti Brace ngriti cështjen e garancisë prej 10 përqind të ofertës prej 850 milion euro të konsorciumit Vetro Energy, të cilën autoritetet nuk kanë mundur ta arkëtojnë ende nga banka e Cikagos American Chartered. Zoti Brace ka bërë edhe një padi penale ndaj ministrisë së ekonomisë dhe komisionit të tenderit për një dëm ekonomik prej 85 milion eurosh. Ministri Haxhinasto tha vetëm se procedurat për tërheqjen e garancisë kanë nisur që në dhjetor.

http://www.youtube.com/embed/hcFIBRXfvNY

“Ministria e Ekonomisë i ka propozuar Këshillit të Ministrave që të shfuqizojë pikën dy të Vendimit të qeverisë datë 1.2.2013 dhe të mbyllë procedurën e privatizimit të shoqërisë Albpetrol. Pas mbylljes së procedurës së nisur, cështja e privatizimit të Albpetrolit do të trajtohet në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi”, deklaroi sot në parlament ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto.

Pas gati afro 5 muajsh Ministria e Ekonomisë pranoi dështimin në shitjen e njërës prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të vendit, Albpetrolit. Super oferta prej 850 milion eurosh e konsorciumit Vetro Energy, të kontrolluar nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci, ra si një kështjellë rëre. “Vetro Energy nuk arriti dot të plotësojë detyrimet dhë të firmosë kontratën”, shpjegoi ministri.

Sipas raportit zyrtar mbi bisedimet me Vetro Energy, konsorciumi kishte pretenduar ndryshimin e rregullave, pasi sipas tij, me privatizimin duhet t’I kalonte edhe pronësia e truallit përreth puseve të naftës. Por komisioni vlerësoi nga ana e tij se ky pretendim nuk qëndronte dhe se trualli nuk kish qenë asnjëherë në shitje, porse ky argument ishte “përdorur për t’i shpëtuar pagesës së shumës së plotë për blerjen e Albpetrolit”.

Ndonëse afatet ligjore u mbyllën që në 3 dhjetor, autoritetet shqiptare duket se shpresuan megjithatë deri në momentin e fundit se paratë do të gjendeshin. Ato pritën për javë të tëra, aq sa praktikisht cuan në dështimin e plotë të gjithë procesit. Ministri Haxhinasto tha sot se me një vendim të datës 1 shkurt qeveria kishte autorizuar nisjen e bisedimeve me dy kompanitë e tjera të kualifikuara në garë, ndonëse pranoi nga ana tjetër, se vlefshmëria e ofertës së tyre kishte përfunduar që më 7 janar. E megjithatë të dyja kompanitë dhanë përgjigje negative.

Por ndonëse Albpetrol nuk u shit, procesi i privatizimit rrezikon të kthehet edhe në një boomerang, për shkak të pamundësisë, të paktën deri tani, të arkëtimit të garancisë së ofertës prej 10 përqind, ose e thënë ndryshe, të 85 milion eurove që do të duhet t’i kalojnë arkës së shtetit.

Sipas rregullores së tenderit garanzia do të duhej të ishte depozituar pranë një prej 50 bankave më të mëdha të botës. Por Vetro paraqiti një dokument nga një bankë e Cikagos American Chartered e cila nuk e plotësonte këtë kusht, e megjithatë u konsiderua e vlefshme. “American Chartered nuk ka qenë kurrë një nga 50 bankat më të mëdha në botë, madje nuk eshte as nder 200 bankat me te medha në Amerikë, madje madje ka një total të aseteve që arrin në 2.3 miliard dollarë dhe garancia e pretenduar përbën 5% të totalit të aseteve të saj, shume e larte per te dhe, per kete shkak e vështire për tu besuar se mund të ishte reale. Pse komisioni pranoi këtë “garanci” qe binte ndesh me kriteret e tenderit?!! Cila ishte arsyeja? Ju duhet të na e thoni. Po paratë si do t’i merrni?”, deklaroi nenkryetari i grupit socialist Erion Brace.

Sipas deputetit Brace, i cili ka paraqitur edhe një denoncim në prokurori për këtë cështje: “ky është dëm dhe kryeministri, ministria, Komisioni, Patton boggs jeni të përfshirë. Komisioni i tenderit që pranoi nje letër kallp është i yti. Emërohet dhe kontrollohet nga Sali Berisha. Kompania Patton Boggs që dha sigurinë mbi letrën kallp është lobisti më i paguar dhe arrogant i kryeministrit; mbi këtë letër kallp, komisioni I Kryeministrit shpalli fituesin!! Të gjithë bashkë kanë shpërdoruar detyrën, kanë mashtruar me një dëm ekonomik prej 85 milion euro dhe ky është krim penal".

Ministri Haxhinasto tha se procedurat për tërheqjen e garancisë kanë nisur që në fillim të dhjetorit: “Ministria e Ekonomisë filloi menjëherë procedurat e tërheqjes së garancisë së ofertës së këtij konsorciumi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pra më 7 dhjetor janë nisur të gjithë formularët dhe shkresat përkatës drejtuar institucioneve respektive që kishin detyrimin ligjor të merreshin me këtë cështje, janë nisur pra dhe kanë mbërritur në destinacion”.


Zoti Haxhinasto nuk dhe shpjegime se përse, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga nisja e procedurave, deri më tani në arkën e shtetit nuk ka mbërritur asgjë.