Administrata amerikane kundër Drogës dhe policia tajlandeze kërkojnë ndihmë për të kapur disa nga kriminelët më të kërkuar më Azinë Juglindore. Autoritetet po përpiqen me mënyra të ndryshme të tërheqin mbështetjen e komuniteteve ku mendohet se fshihen këta individë që kërkohen nga drejtësia:
Jeta e natës në Tajlandë prej kohësh është bërë sinonim i një numër aktivitetesh të paligjshme. Administrata Amerikane kundër Drogës dhe autoritetet tajlandeze thonë se zonat e argëtimit mund të fshehin disa prej trafikantëve të drogës dhe vrasësve më të kërkuar të rajonit.
Për t’i kapur këta individë, autoritetet po ndjekin një metodë të re: ata kanë vënë fotografi të të kërkuarve në objekte të ndryshme në bar me mbështetjen e pronarëve si Samang Edwards.
Ajo thotë se fotografitë e personave të kërkuar nuk përbëjnë shqetësim për klientët:
“Dua të ndihmoj që këta individë të kapen. Nuk më pëlqejnë ato që bëjnë për drogë apo gjëra të tjera. Janë shumë të dëmshme për të tjerët”.
Disa klientë tregojnë se i kanë parë disa nga personat e kërkuar. Por Nicholai Kehlet, shtetas i Danimarkës, thotë se fotografitë nuk duket se janë të viteve të fundit:
“Siç e thashë, është e vështirë të gjykosh nga këto fotografi. Sheh gjithë këto fytyra rrotull. Mendoj se këta njerëz kanë ndryshuar disi që nga ajo kohë”.
Në krye të listës së Agjencisë Amerikane është Wei Hsueh Kang, një ndër krerët e Ushtrisë së Bashkuara Wa, një grup rebel i përfshirë në trafikun e drogës, që kontrollon një pjesë të madhe të Birmanisë veri-lindore.
Thomas Pasquarello, Drejtori i Zyrës për Azinë lindore në Agjencisë amerikane të Anti-Drogës thotë se autoritetet amerikane janë në ndjekje të Weit që në vitet 90 dhe ofrojnë deri në 2 milionë dollarë për informata që çojnë në kapjen e tij.
“Kjo organizatë është e aftë të prodhojë mijëra kilogramë drogë. Wei Hsueh Kang është mendja gjeniale financiare prapa këtyre operacioneve si dhe shefi ekzekutiv i kësaj organizate”.
Që në gusht, programi ka gjeneruar 120 pista të mundshme për hetime. Megjithëse ende nuk ka pasur arrestime që të kenë rezultuar nga ky program, ka shenja se ndikimi i tij ka qenë pozitiv.
“Kemi marrë informata se ata që janë në krye të këtyre rrjeteve kanë shprehur pakënaqësi për programin. Ata nuk duan publicitet. Elementët e botës së krimit preferojnë të veprojnë nën radarin e ligjit. Ky program ekspozon aktivitetin e tyre, ekspozon rrjetet e tyre. Pra programi ka ndikuar në operacionet e këtyre rrjeteve”.
Zoti Pasquarello thotë se suksesi i programit do të gjykohet nga informatat e marra nga publiku dhe vlera e këtyre informatave për kapjen e kriminelëve.