Korpusi i Paqes shënon 50-vjetorin, vullnetarët vazhdojnë të paraqiten

  • Xherom Sokolovski

Korpusi i Paqes shënon 50-vjetorin, vullnetarët vazhdojnë të paraqiten

Pesëdhjetë vjet më parë, Presidenti John F. Kennedy kërkoi themelimin e Korpusit amerikan të Paqes. Që atëherë, më shumë se 200 mijë vullnetarë kanë shkuar për të ndihmuar në vende të varfëra në mbarë botën. Tani, pavarësisht nga vështirësitë në përmbushjen e misionit dhe kërcënimeve për shkurtime buxhetore, vullnetarët vazhdojnë të paraqiten për të punuar me Korpusin e Paqes.

Aleks Gordon u paraqit vullentar pranë Korpusit të Paqes në fillim të viteve ’90. Ai mban një kuti me sende të ndryshme, si kujtim nga Paraguaji, ku kaloi më shumë se dy vjet duke ndërtuar një shkollë në një zonë rurale.

Zoti Gordon thotë se puna vullnetare me Korpusin e Paqes ka të bëjë jo vetëm me bamirësinë.

“Puna të jep vetëbesimin se mund të bësh çfarëdo.”

Pas dy dekadash, zoti Gordon po i rikthehet organizatës për të punuar këtë herë në Liberi. Presidenti Xhon F. Kenedi e themeloi Korpusin e Paqes më 1961. Ai u tha vullnetarëve të rinj në oborrin e Shtëpisë së Bardhë se reputacioni i Amerikës në vendet ku do të shkonin do të varej kryesisht prej tyre.

“Nëse mund t’u lini mbresa me përkushtimin tuaj ndaj lirisë, ndaj përparimit për interesat e popullit kudo, me krenarinë tuaj për vendin tonë, traditat e tij më të mira dhe parimet të tij, do të keni ndikim të madh në ato vende.”

Që atëherë, më shumë se 200 mijë vullnetarë kanë punuar në të gjithë botën.

Një nga ata vullnetarë ishte Arun Uilliams. Ai është tani drejtor i Korpusit të Paqes.

“Kudo që shkoj, mësoj se udhëheqësit atje kanë takuar vullnetarë të Korpusit të Paqes para shumë vitesh, që ka pasur ndikim tejet pozitiv, u ka mundësuar përvoja që u kanë ndryshuar jetën këtyre kryeministrave, presidentëve, zyrtarëve të kabinetit, drejtuesve të kompanive të mëdha në vendet ku ne shërbejmë.”

Përkrahësit thonë se Korpusi i Paqes ndihmon politikën e jashtme amerikane me kosto minimale në krahasim me buxhetin e ushtrisë. Por Presidenti Barak Obama nuk ka mbajtur një premtim të fushatës për të dyfishuar organizatën dhe Kongresi po kërkon shkurtime buxhetore prej dhjetëra miliona dollarësh.

Megjithatë, vullnetarë të rinj vazhdojnë të paraqiten. Suprija Shah është studente në Universitetin “Xhorxh Uashington” ku është angazhuar si vullnetare për komunitetin, në pritje të nisjes jashtë vendit.

Ajo thotë se njoftimet e fundit në mediat amerikane për përdhunimin dhe vrasjen e një vullnetareje në Afrikën Perëndimore nuk e frikësojnë atë.

“Kudo është e rrezikshme të jesh vajzë”, - thotë ajo.

Shoku i saj, Met Frankolino, është po ashtu vullnetar. Verën e kaluar, ai jetoi në kushte që do t’i ketë edhe me Korpusin e Paqes – në një fshat në Afrikën Perëndimore, pa energji elektrike e pa ujë të rrjedhshëm.

“Ishin dy muajt më të mirë të gjithë jetës sime! Dhe u çudita sesi është e mundur? Nuk kisha celular, apo kompjuter dhe kuptova se kishte shumë më tepër gjëra të rëndësishme që më duheshin në jetë.”

Vullnetarët thonë se jeta me familjet e atyre fshatrave është pjesë e asaj që e bën Korpusin e Paqes ndryshe nga organizata të tjera humanitare – dhe thonë se ata fitojnë po aq përvojë sa edhe dhurojnë gjatë shërbimit të tyre.