Ramë Buja: "Sistemi i arsimit në Kosovë në pajtim me kushtetutën e vendit"

Ramë Buja: "Sistemi i arsimit në Kosovë në pajtim me kushtetutën e vendit"

Ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës ,se sistemi arsimor i Kosovës synon të krahasohet me nivelet evropiane. Ai thotë se po bëhen përpjekje për integrimin e pakicave, përfshirë edhe shkollat në gjuhën serbe që ende nuk punojnë sipas plan programeve të Serbisë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ministri Buja flet edhe për planet për hartimin e teksteve të përbashkëta shkollore me Shqipërinë dhe debatet për futjen e mësimit fetar në shkollat e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, sistemi arsimor në Kosovë vazhdon të përballet me shumë sfida tashmë njëzet vjet me radhë, pra para dhe pas luftës në Kosovë. Çfarë është gjendja e këtij sistemi aktualisht?

Ramë Buja: Unë jam me fat që kam marrë një dikaster të qeverisë së Kosovës që padyshim vlerësohet me të drejtë i suksesshëm, për faktin që janë bërë punë shumë serioze, janë bërë punë të nevojës, të domosdosë për arsimin në Kosovë, sepse i është kushtuar kujdes jo i pakët infrastrukturës teknike shkollore, që kemi qenë shumë keq në këtë raport. Dhe kjo punë në mandatin e kaluar, është bërë me një përkushtim të veçantë, kështu që i jam falënderues ministrit, i cili tashmë ka një resor tjetër. Dhe tani, unë kam një përqendrim tjetër. Jo pse do ta lë atë pjesën e infrastrukturës teknike, sepse e kemi për obligim të përmbarojmë, ta mbyllim atë kapitull, me qëllimin më të mirë që të mos kemi tre ndërrime nxënësish në shkolla të caktuara, por, fokus i veprimit tonë të këtij mandati, do të jetë rritja e cilësisë mësimore, mësim nxënies dhe mësimdhënies, duke u nisur nga nivelet më të ulta gjer tek nivelet më të larta.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Ministër, kritiket thonë se ka ecje të ngadalshme në reformimin e sistemit arsimor dhe autoritetet janë përqendruar më shumë në infrastrukturë. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve?

Ramë Buja: Nuk do ta kisha thënë kështu, sepse unë nuk e thashë rastësisht që ajo që u bë ishte një domosdo për t’u bërë. Dhe është bërë në sasinë më të madhe të mundshme, gati 90 për qind është realizuar një projekt i tillë. Ndërsa, nuk mund të them se është mbetur prapa kjo pjesa tjetër, sepse në fakt, tanimë kemi një strategji për arsimin në Kosovë ,që është hartuar edhe me ndihmën e donatorëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë 2011 – 2016. Kemi në përfundim e sipër kornizën e kurrikulumit të Kosovës, që është një investim serioz edhe i mendjes edhe i mendësisë edhe veprimit konkret, që do të duhej të realizohej dhe implementimi kërkon mund tjetër, por është punë serioze që është bërë. Ndërsa tani kjo fazë në të cilën gjendemi, po që se e krahasojmë me vendet e rajonit, mund të them me plot gojën se nuk jemi keq, por synimi ynë nuk është këtu. Synimi ynë nuk është që të mbetemi në këto nivele rajonale, por ne synojmë lartësi më të mëdha, që të barabitemi dhe barazohemi me nivelin evropian të mësimit ,që do të duhej ta realizonim.

Zëri i Amerikës: Këto ditë qeveria juaj po përballet edhe me kundërshtime me mekanizmat ndërkombëtarë sa i përket mundësisë apo pamundësisë suaj për plotësimin e zotimeve për rritje të pagave të arsimtarëve. A keni shqetësim për mundësi përballjeje me pakënaqësi sociale në këtë sistem?

Ramë Buja: Ka qenë e mundshme që ne të përballeshim me gjëra të tilla, po të mos mund ta realizonim atë objektiv të synuar, ose atë premtim të dhënë, që është bërë vendim qeveritar. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u tha se kjo gjë do të jetë e implementueshme dhe e realizueshme, përveç defektit kohor që ligji për buxhetin kërkon disa ditë për t’u aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Besojmë se kjo do të ndodhë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik që të përplaseni dhe të humbni mbështetjen e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtar në funksion të përmbushjes së këtij vendimi?

Ramë Buja: Jo. Kemi pasur debate të nxehta për të mos thënë të ashpra me të gjithë ata mekanizma të cilët po i dimë bashkë. Debate, që janë zhvilluar ditë të tëra. Natyrisht që jemi sqaruar dhe jemi marrë vesh mirë se nuk do të ketë defekte të asaj natyre ,që mund të ketë shqetësim dikush. Por, bisedimet, debatet për gjëra edhe më tutje kësaj që po e flasim sot, do të vazhdojnë. Unë nuk e besoj që do të ndodhë ajo që nuk do ta dëshironim të ndodhë, që të ç’harmonizohen në njëfarë forme, raportet me FMN-në dhe Bankën Botërore.

Zëri i Amerikës: Një nga sfidat është integrimi i pakicave në sistemin e arsimit. Ku ndodhet ky proces?

Ramë Buja: Realisht në këtë segment edhe mandati i kaluar ka investuar jo pak. Është përpjekur që të realizojë atë që e kemi synim edhe kushtetues edhe ligjor edhe të disponimit tonë të mirë, të shumicës së qytetarëve të Kosovës, sepse në fakt, jemi të bindur se duke i shkolluar, duke i emancipuar të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, ne i zvogëlojmë telashet tona. Andaj, jemi me fokusim të veçantë që të këtë ta bëjmë ne mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk kemi arritur rezultat të dëshiruar me pakicat RAE (romë, ashkali, egjiptas), sepse tash e kemi një shifër në këtë gjashtëmujorin e fundit, njerëzit që janë kthyer nga mërgimi, kemi insistuar që t’i inkuadrojmë në nivele të caktuara shkollore, ku ata e kanë pasur moshën, megjithatë nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar. Kemi çalime, natyrisht tek pakica kombëtare serbe, por këtu kemi edhe përparime të shumta. Në zgjedhjet e fundit lokale, komuniteti serb u integrua bukur mirë në krejt atë proces dhe tani kemi një numër të caktuar drejtorësh të drejtorive komunale të atyre komunave që veç kanë pranuar realitetin e ri në Kosovë dhe tanimë ne komunikojmë shumë normalisht dhe rezultatet janë të prekshme.

Zëri i Amerikës: Por, jo edhe plan- programet e Ministrisë së Arsimit?

Ramë Buja: Natyrisht jo, por besojmë që ne do të realizojmë këtë shkallshëm, për faktin që ne kemi një komision të përbashkët që të bëjmë këto programe që të jenë të implementueshme dhe të mos jenë të lëndueshme për asnjërin komunitet në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Veriu, mbetet problemi themelor për aspektet tjera të integrimit edhe për sistemin arsimor. Si do ta shtrini autoritetin tuaj në shkollat në zonat e banuara me shumicë serbe?

Ramë Buja: Nuk mund ta bëjmë verë, kur nuk është ashtu. Atje kemi vështirësi më të mëdha sesa që kemi në pjesët tjera, sepse këndej ka filluar seriozisht integrimi. Në pjesën veriore, ne e dimë se ka probleme jo vetëm të arsimit, por problemet janë të përmasave të tjera, janë të rrafshit politik dhe ky rrafsh politik nuk është lehtë për t’u menaxhuar ashtu si dëshirojnë edhe politikanët elitarë për ta bërë. Këto probleme politike po fillojnë të zbuten në atë kuptimin pozitiv, në mënyrë që të kemi mundësi edhe ne të fushës së arsimit ta bëjmë atë që duhet bërë për t’i integruar njerëzit në fushën e arsimit dhe për t’i pasur afër, për të komunikuar dhe për të krijuar disponimin e mirë të realitetit të ri.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, kur jemi tek aspektet politike, studentët nga Lugina e Preshevës që kanë diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe institucione tjera arsimore në Kosovë, kanë vështirësi në Serbi meqë nuk njihen diplomat e tyre me mbishkrimin e Republikës së Kosovës. Si mendoni të tejkaloni këtë problem?

Ramë Buja: Ju besoj se e dini siç di unë që bisedimet Kosovë – Serbi kanë filluar për çështje teknike. Dhe këto çështje teknike konsistojnë edhe në këtë problematikë që e përmendëm bashkë. Mund të ketë gjithsesi një debat të këtij niveli për çështje reciprociteti dhe respektimi të ndërsjellë. Andaj unë besoj që kjo rrugë bisedimore do të çojë edhe tek zgjidhja e këtij problemi, që nuk është i vogël për ata njerëz që banojnë në ato troje.

Zëri i Amerikës: Kur jemi tek çështja e bashkëpunimit edhe të shqiptarëve ne pjesë të ndryshme të Ballkanit, ka pasur përpjekje për hartimin e programeve dhe teksteve të përbashkëta mësimore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ku ndodhet ky proces?

Ramë Buja: Procesi është në rrugë. Nuk them se ka ecur më së miri. Por, synimi ynë është që të vazhdojmë aty ku ka mbetur, ku ka çaluar eventualisht diku, në mënyrë që së paku të realizojmë për një fazë të caktuar abetaren, që ta kemi të përbashkët. Ajo nuk do të defektojë as andej as këndej kufirit, përkundrazi, do të favorizojë fëmijët e atij niveli dhe ne do të jemi insistues për këtë.

Zëri i Amerikës: Kur mund ta shohim këtë abetare të përbashkët?

Ramë Buja: Nuk jam ithtar i asaj që të caktojë kohë të prerë, apo datë të caktuar, por ne do të bëjmë krejt të mundshmen që ta realizojmë sa më parë që është e mundur.

Zëri i Amerikës: Ju keni paralajmëruar hapjen e Universiteteve të reja përveç atij të Prizrenit edhe në qytete të tjera. A i keni mundësitë për një gjë të tillë?

Ramë Buja: Mundësitë do të përpiqemi t’i gjejmë dhe besoj që do i gjejmë. Por, koha nuk do të jetë shumë e favorshme për ne në proporcion me premtimet që janë dhënë dhe njerëzit mund të kërkojnë që shpejt të bëhen këto. Këto institucione që janë mrekulli për vendin, po u realizuan ashtu siç synohen me projektin e qeverisë, kërkojnë kohë. Andaj, ky mandat që kemi marrë tani dhe është në fillim fare, besoj që do bëjë shumëçka në atë drejtim për të krijuar edhe infrastrukturën teknike edhe kadrovike dhe të mendësisë së veprimit racional për këto institucione, kështu që besoj se do të bëhet shumëçka për të realizuar këtë objektiv tonin.

Zëri i Amerikës: Ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga bashkësitë fetare, posaçërisht nga Bashkësia Islame për futjen e mësimit fetar nëpër shkolla. A e keni shqyrtuar këtë çështje? Si mund të zgjidhet kjo?

Ramë Buja: E kemi biseduar, jo njëherë, por sa e sa herë. Por, ne në fakt i referohemi anës sonë ligjore, kushtetutës sonë që thotë se Kosova është shtet laik, por nuk i kufizon askujt që lirshëm të merret me besimin e tij fetar. Por, futja e mësimit fetar në shkolla përcaktohet edhe me ligjin për arsimin, andaj ne u referohemi këtyre mekanizmave tonë ligjorë. Në momentet kur ata mekanizma që janë përgjegjës për të bërë ndryshime të caktuara në këto nivele legjislative, atëherë ne si pjesë ekzekutive e mekanizmave shtetërorë, në e bëjmë punën tonë.