Kim Xhong Il përpiqet të zgjatë dinastinë komuniste të familjes së tij

  • Zëri Amerikës

Kim Xhong Il përpiqet të zgjatë dinastinë komuniste të familjes së tij

Djali dhe motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Xhong Il, u graduan në rangun e gjeneralit me katër yje, në përpjekje për ta shtrirë në brezin e tretë dinastinë komuniste të familjes Kim, një rast ky i pashembullt në botë. Emërimet u shpallën sot ndërkohë që Partia e Punëtorëve të Koresë u mblodh për konferencën e saj më të madhe në 30 vjet. Media zyrtare tha se Kim Xhong Il u rizgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë në mes të duartrokitjeve të stuhishme.

Kim Xhong Il e gradoi djalin e tij Kim Xhong Un gjeneral me katër yje, ngjarje që shihet si konfirmim se ai mund të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i vendit.

Njoftimi u bë nga media shtetërore përpara fillimit të konferencës historike të Partisë së Punëtorëve të Koresë, e cila mbahet pas disa javë spekulimesh nga mjetet e huaja të informimit.

Në konferencë, Kim Xhong Il u rizgjodh në postin më të lartë të partisë, atë të Sekretarit të Përgjithshëm, sipas medias shtetërore.

Mendohet se shëndeti i tij po vjen duke u keqësuar prandaj ai i dha djalit të tij Kim Xhong Il dhe anëtarëve të tjerë të familjes poste të larta që dinastia e tij komuniste të shtrihet edhe një brez tjetër.

Ishte hera e parë që media shtetërore koreanoveriore përmendëte djalin e tij Kim Xhong Un, i cili ka mbetur aq i fshehur nga bota e jashtëme saqë ende nuk njihet si fytyrë e madje nuk i dihet me saktësi as mosha.

Ai mendohet të jetë 27 ose 28 vjeç dhe thuhet se ka ndjekur studimet në Zvicër e pastaj në Universitetin Ushtarak Kim Il Song të Penianit.

Gradimi i tij duket se synon ta verë atë në krye të politikës së të atit, të ashtuquajturës “songun”, e cila vendos ushtrinë mbi gjithçka.

Analistët thonë se ngritja e shpejtë e Kim Xhong Unit le të kuptohet se ekzistojnë sheqetësime serioze për shëndetin e të atit të tij, i cili mendohet se ka kaluar një goditje në zemër në vitin 2008.

Mendohet se nëse Kim Xhong Il vdes, e motra e tij dhe bashkëshorti i saj, numri dy më i fuqishëm në Korenë e Veriut, do të ndihmonin që kalimi i pushtetit të bëhet pa probleme.

Zyrtarët amerikanë të Departamentit të Shtetit thonë se po i ndjekin me kujdes zhvillimet në Korenë e Veriut por sipas tyre është tepër herët të dihet se çfarë po ndodh brenda udhëheqjes së vendit.