Njerëzit që pësojnë infarkt shpesh duhet të bëjnë ndryshime në jetën e tyre për të jetuar më gjatë; ata duhet të mbajnë peshën nën kontroll dhe të bëjnë rregullisht ushtrime fizike. Por pak pacientë janë në gjendje ta bëjnë këtë prandaj shumë prej tyre shtrohen shpesh në spital apo vdesin më shpejt. Studiuesit në Çikago mendojnë se një edukim më i mirë i pacientëve mund të rezultojë në një kontroll më të mirë të shëndetit.
Në Shtetet e Bashkuara, infarkti është shkaku më në rritje i shtrimit në spital. Edhe në vende të tjera shumë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje.
Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se të paktën 17 milionë njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit nga sëmundje kardiovaskulare duke përfshirë infarktin.
E thënë thjesht, infarkt do të thotë se zemra nuk pompon gjak të mjaftueshëm për të përballuar nevojat e trupit. Me kalimin e kohës, zemra dobësohet derisa nuk mund të pompojë më gjak.
Katie Coffee vuan nga infarkti dhe përpiqet të ndjekë këshillat e mjekut.
"Ndjehem më mirë. Kam bërë mjaft ecje dhe sa më shumë eci aq më mirë ndjehem".
Mjekët thonë se edukimi i pacientëve me infarkt për tu kujdesur për veten është çelësi në suksesin e trajtimit të sëmundjes.
Kujdesi për veten përfshin marrjen e ilaceve në kohë, kufizimin e kripës në ushqim, pakësimin e pijeve alkoolike, fiskulturën e rregullt, kontrollin e peshës dhe lënien e duhanit.
Studimet tregojnë se 50 deri në 80 përqind e pacientëve me infarkt nuk e ndryshojnë mënyrën e të jetuarit. 30 deri në 60 përqind nuk i marrin rregullisht ilaçet. Mjekët thonë se arsyeja për këtë nivel kaq të lartë të të prekurve me infarkt është se pacientët ndjehen të mposhtur nga vështirësia për të ndjekur këshillat e mjekut.
Mjeku James Calvin dhe studiues të tjerë donin të shihnin mundësitë për të ndihmuar këta pacientë.
"Donim të shihnim në se mund të ndryshonim sjelljen e pacientëve përmes edukimin si dhe përmes ndihmës për të mësuar teknikat e menaxhimit të vetvetes."
Disa pacientë me infarkt morën materiale për të lexuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës. Të tjerë morrën përveç tyre edhe konsultime.
"47 përqind e pacientëve ishin femra, 40 përqind ishin pakica, kështu që menduam se kishim një grup pacientësh që përfaqësonin popullatën e pacientëve me infarkt në Shtetet e Bashkuara".
Gjatë studimit mjekët nuk panë ndryshim të madh mes dy grupeve. Në të dyja grupet, rreth 40 përqind e pacientëve u shtruan në spital ose gjetën vdekjen. Ndërsa rezultatet ishin shkurajuese, studiuesit panë se disa pacientë dolën të përfituar.
Profesorja Lynda Powell është një nga studiueset. Ajo drejton departamentin për mjekësinë parandaluese në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush.
"Këshillat për shëndetin ishin inkurajuese për pacientët me të ardhura të ulta ndërsa edukimi solli përfitime për pacientët me të ardhura të larta".
Zonja Powell thotë se studimi tregoi se kujdesi më i madh ndaj nevojave specifike të grupeve të ndryshme të pacientëve mund të ketë ndikime. Mjekët synojnë të studiojnë tani efektet e një kurimi të hartuar në bazë të të ardhurave të pacientëve.Studimi u publikua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.