Çile Precetaj: Fëmijët e mi nuk e meritojnë deportimin

Në Shtetet e Bashkuara, gjykatat kanë vendosur të rishqyrtojnë çështjen e shtetases shqiptare Çile Precetaj, e cila ishte urdhëruar për deportim. Sensibilizimi i medias dhe i komunitetit shqiptar e bëri gjykatën ta shtyjë çështjen dhe kolegia jonë Joana Allamani bisedoi me zonjën Precetaj si dhe me avokatin e saj. Joana, cilat janë komentet që ke marrë deri tani?
Shtetësja nga Shqipëria, Çile Precetaj erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000. Ajo thotë se erdhi në kërkim të një jete më të mirë dhe për t’i shpëtuar krimit dhe rrezikut të prostitucionit në vendin e saj. Zonja Precetaj hyri në mënyrë të paligjshme duke kaluar kufirin nga Kanadaja, dhe u vendos në shtetin e Miçiganit. Kërkesa e saj për azil politik u hodh poshtë në vitin 2007 dhe më vonë u refuzua edhe nga gjykata e apelit në vitin 2008. Pas humbjes së gjyqit, u dha urdhrin për deportim, dhe tani familja e saj është në rrezik të ndahet.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zonja Precetaj tha se me urdhërin për deportimin e kishin bërë të ndihej sikur të ishte kriminele në sytë e fëmijëve.
"Kam ardhur këtu për të shpëtuar jetën time, por fëmija im nuk e meriton këtë gjë. Kanë shtatë vjet që mundohen të më deportojnë," tha zonja Precetaj.
Zonja Precetaj është martuar në SHBA me Pjetër Gojçeviç, dhe tani është nënë e tre fëmijëve me shtetësi amerikane, një djalë, 11 vjeç, dhe dy vajza, 6 dhe 4 vjeç. Fëmijët e saj amerikanë mund të rrinë në Shtetet e Bashkuara, me gjyshen e tyre e cila edhe ajo është shtetase amerikane, por zonja Precetaj dhe bashkëshorti i saj thonë se problemet me ligjet e imigracionit po cënojnë harmoninë e tyre familjare.
Avokati i zonjës Precetaj, Andrew Johnson i tha Zërit të Amerikës se kishte arritur të siguronte rishqyrtimin e çështjes. Ai tha se kjo është një çështje që varet nga autoritetet e imigracionit, sepse ata nuk mund t'i deportojnë të gjithë imigrantët e paligjshëm, por zgjedhin se cilët persona do të deportohen në fillim.
"Nëse autoritetet e vendosin atë në krye të radhës, gjë që nuk do të kishte kuptim, familja e saj do të ndahej. Ajo ka tre fëmijë dhe ndodhet në Shtetet e Bashkuara prej 13 vjetësh, duke u kujdesur për këta fëmijë. Ne shpresojmë se kjo çështje do t'i kalojë dikujt në administratën e Presidentit Obama. E vetmja gjë që kërkojmë ne është që ata ta marrin në shqyrtim çështjen, sepse ajo u trajtua në mënyrë jo korrekte përsa i përket procedurës. Ekspozimi i kësaj çështjeje në media ishte e vetmja gjë që e shmangu deportimin dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet për ta nxjerrë këtë çështje përpara njerëzve që deportimi të mos ndodhë," tha zoti Johnson.
Tani për tani zonja Precetaj mund të vazhdojë të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara në pritje të një vendimi përfundimtar. Ndërkohë Kongresi amerikan është duke shqyrtuar një reformë imigracioni, dhe mbetet për t’u parë nëse ajo do të përfitojë apo jo.